Ali Ahmeti për Erkan Arifin: Dëgjova haxhi Selajdinin, e rikandidova dhe mos e nënçmoni – dilni votoni!

“Kemi investuar në kuadër dhe unë jam krenar që këto investime kombëtare janë dëshmuar me punën e tyre, qoftë në nivel qendror, qoftë edhe në nivel kombëtar”, kështu u shpreh mes të tjerash lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Likovë teksa foli për rikandidimin e Erkan Arifit për të parin e kësaj komune.

Marketing

Ka treguar se për t’ia besuar edhe një mandat të dytë Erkan Arifit, duhet që i njëjti të mos nënçmohet dhe të dilet të votohet më 17 tetor. Ka bërë të ditur se në vendimin për rikandidim ka ndikuar kërkesa e Haxhi Selajdinit i cili ditën e vendosjes së gurthemelit të varrezave të dëshmorëve i kishte thënë në vesh: Erkan Arifi meriton mandat të dytë.

“Regjistrova haxhi Selajdinin. Ishin edhe dhjetëra të tjerë që më thoshin në veshë: Erkan Arifi meriton mandat të dytë sepse ka punuar shumë. Këto ishin fjalë të qytetarëve të rëndomtë”.

“Haxhi Selajdini unë ju dëgjova juve me kujdes, gjithashtu me shumë vëmendje kam përcjellë anketimet dhe sondazhet, dhe ju kisha lutur që mos e nënçmoni më 17 tetor dhe të organizoheni, sepse ne i lemë punët në asgjë. Erkan Arifi e ka mbështetjen time dhe punë e madhe që s’dalë unë. Dalin të tjerët. Erkan Arifi unë nuk kam ardhur sot këtu që t’ju them se më 17 tetor do të kemi festë, sepse festën e bëj sonte. Ju kisha lutur vetëm mos e nënçmoni, sepse, ne, haxhi, ne të gjithë themi se hajde se të gjithë e përkrahin dhe do të fitojë. Ashtu humbasim. Të gjithë të mobilizohemi”, tha më tej Ahmeti, transmeton TV21.

Por Ahmeti shtoi, se ka mbetur edhe shumë punë për të realizuar synimin e agjendës që e mveshën, pasi ajo paraqet edhe njërin nga kapitujt më të ndërlikuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ka mbetur edhe shumë punë. Edhe shumë punë kanë mbetur për t’u bërë. Por, ama duheshte të bëhej edhe hapi i duhur për 20 vitet e ardhshme dhe një parti, një lëvizje me një histori thellësisht kombëtare që nuk lindi më 2001, por lindi si rezistencë pas regjimeve ushtarake-policore që u vendosën në vitin 45-46 dhe shpërtheu dhe kulmoi në vitin 2001 me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe si vazhdimësi Bashkimi Demokratik për Integrim u bë avangardë e jetësimit dhe materializimit të gjakut të derdhur të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe i të rënëve të mëhershëm nëpër burgjet jugosllave. Dolëm në agjendën e gjelbër. Dolëm në agjendën e kohës evropiane, moderne por edhe që përmirëson mënyrën e jetesës së njerëzve. Kapitullin XXIV për anëtarësim në BE është një nga kapitujt më të kërkuar dhe më të ndërlikuar. Bile është edhe më e rëndësishme se kapitulli për sundimin e së drejtës, sepse jeta e njerëzve varet se si e organizon ambientin”, tha Ahmeti.