Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni, z. Gjergj Dedaj.
Z. Ahmeti uroi ambasadorin Dedaj për emërimin në krye të ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup dhe shprehu dëshirat më të sinqerta për mbarësi si dhe e siguroi z. Dedaj për mbështetjen e tij personale si dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ahmeti dhe Dedaj diskutuan për ndryshimet kushtetuese, sundimin e ligjit, dialogun Prishtinë – Beograd dhe në përgjithësi për gjendjen politike në vend dhe rajon.
Kryetari Ahmeti përsëriti nevojën që të gjitha institucionet e vendit të japin kontribut konstruktiv drejt përmbylljes së procesit të zbatimit të Marrëveshjes se Prespës dhe mos ta pengojnë atë.
Z. Ahmeti shprehu përkrahje edhe për finalizimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të zbatuar nga institucionet demokratike dhe legjitime në Kosovë.
Z. Ahmeti gjithashtu përshëndeti themelimin e ushtrisë së Kosovēs si një hap drejt arritjes së standardeve euroatlantike.
Bashkëbiseduesit konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe u zotuan për thellim dhe avancim të mëtejmë të bashkëpunimit.