Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z.Ali Ahmeti sot ka
realizuar një takim pune me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, znj.Kejt Bërns. Ahmeti i ka thënë ambasadores Bërns se
bashkëpunimi i suksesshëm me SHBA-të do të vazhdojë edhe në të ardhmen
edhe atë në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta me
Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ahmeti me këtë rast ka falënderuar ambasadoren Bërns për ndihmat
mjekësore që Amerika i ka dërguar deri më tani Maqedonisë së Veriut me
qëllim përballimin sa më të lehtë të situatës së krijuar me Pandeminë e
shkaktuar nga COVID-19.
Kryetari i BDI-së, Ahmeti dhe ambasadorja e SHBA-ve, Bërns gjithashtu
gjatë takimit kanë biseduar edhe mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut sa
i takon integrimit euroatlantik, duke përmendur këtu marrëveshjen me
Athinën dhe Sofjen si dhe drejtimin e vendit drejt BE-së.
Kryetari Ahmeti gjithashtu ka përshëndetur Marrëveshjen e Uashingtonit
midis Kosovës dhe Serbisë bashkë edhe me njohjen e ndërsjellë midis
Izraelit dhe Kosovës si dhe përcaktimin e Hezbollahut si organizatë
terroriste.
Në fund të takimit ambasadorja Bërns theksoi se Uashingtoni do të
vazhdojë të përkrahë Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e
reformave të nevojshme por shumë të rëndësishme me qëllim mbisundimin e
së drejtës dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë të paanshme dhe
të pavarurа