Aliu: Shumicën në Kongres, në Kuvend dhe në Kryesi të ASH-së e ka Arben Taravari

Azir Aliu nga radhët ASH-së, krahu i Taravari, në konferencën e sotme për shtyp tha se Kongresi i jashtëzakonshëm që do të mbahet të dielën nga krahu i Selës në ASH është i jashtëligjshëm. Aliu tha se sipas statutit, Kongresi mund të thirret vetëm me kërkesë të kryetarit të partisë ose me kërkesë të 2/3 të përbërjes së Kuvendit të partisë. Aliu thotë se kanë dëshmi që krahu i Selës në ASH ka bërë falsifikime dhe uzurpime të identitetit të kuvendarëve.

Marketing

“Duhet të kenë 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë, por kanë votuar siç thash më lartë vetëm 69 prej tyre. Konstatojmë se kjo është shkelje e rëndë e statutit të partisë, por edhe vepër penale pasi nënkuptohet se është bërë manipulim i listës së kuvendarëve dhe në fund, përveç shkeljeve satutare të konfirmuara siç përmenda dhe të tjerave që jemi në proces për t’i konfirmuar në vijim, vendimet e nxjerra nga i ashtuquajturi Kuvend i 10.02.2024, mund të përbëjnë edhe vepra penale në rast se vërtetohen se për iniciativën për shkarkim të kryetarit, si dhe për thirrjen e Kongresit, nuk kanë votuar 2/3 e kuvendarëve legjitim të partisë sonë. Pra, edhe njëherë përpara jush dua të theksoj se shumicën në Kongres, shumicën në Kuvend dhe shumicën e Kryesisë së partisë e ka kryetari Taravari”, tha mes tjerash Aziri.

Sot në selinë e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë, u prezantuan shkeljet stature dhe ligjore në të ashtuquajturin Kuvend i Partisë që u mbajt më 10 shkurt 2024 në Shkup.

Më poshtë i keni shkeljet stature dhe ligjore të prezantuara nga Azir Aliu:

(I) Shkelja e parë e Statutit është bërë me vetë thirrjen e Kuvendit të Partisë, ku është shkelur neni 71 pika c që përcakton përgjegjësitë e Kryetarit të Kuvendit në lidhje me konvokimin e mbledhjeve të Kuvendit, ku në STATUT thuhet: “Kryetari i Kuvendit në koordinim me Kryetarin e Partisë, vendosin për pikat e rendit të ditës të mbledhjeve të Kuvendit të Partisë”.

(II) Iniciativa për shkarkimin e Kryetarit të Partisë duhet të bazohet në parimet e nenit 50 të statutit, KU THUHET: “Kryetari i Partisë shkarkohet në këto raste:

1. Shkelje e rëndë e Statutit dhe Platformës së Partisë,

2. Nëse dënohet me burgim për kryerjen e ndonjë vepre penale,

3. Në rast të dorëheqjes vullnetare,

4. Në rastet kur shëndeti i tij e pamundëson kryerjen e funksionit të Kryetarit”.

(III) Po ashtu, është shkelur rëndë neni 49 i cili përcakton qartazi dhe thotë si në vijim: “Arsyeshmërinë juridike-statutare në lidhje me iniciativën për shkarkim [të Kryetarit] e interpreton Komisioni Statutar”, meqë nuk është kërkuar interpretim nga Komisioni statutar i zgjedhur nga Kuvendi i Partisë me vendimin 42-02/2023 të datës 21 janar 2023, në përbërje: Ardian Limani – kryetar dhe me anëtarë Syrija Rashidi, Bashkim Bakiu, Kujtim Neziri dhe Adnan Neziri.

Gjithashtu, përbërja e Komisionit statutar nuk ka ndryshuar dhe nuk mund të ndryshohet, sepse i njëjti zgjidhjet sipas nenit 145, i cili thotë “… Komisioni statutar propozohet nga Kryetari i Partisë…” ku Kryetari i Partisë, z. Taravari, nuk ka propozuar komision të ri.

(IV) Për të vlerësuar ligjshmërinë e votimit të iniciativës për shkarkimin e Kryetarit të Partisë, duhet verifikuar listën e anëtarëve të Kuvendit të pranishëm në mbledhje, meqë sipas nenit 48 të statutit, “iniciativën për ndërprerjen e mandatit të Kryetarit e ndërmerr 2/3 e përbërjes së Kuvendit të Partisë”. Rrjedhimisht, duhet verifikuar në bazë të listës së kuvendarëve të pranishëm, nëse:

(I) Kuvendi pa pasur kuorum; dhe

(II) nëse për këtë iniciativë, kanë votuar së paku 96 kuvendarë legjitim nga 143 sa janë të evidentuar.

Megjithatë, marrë parasysh faktin se 75 kuvendarë kanë nënshkruar mocionin në përkrahje të kryetarit TARAVARI, dhe sipas njohurive tona, nga këta 75 nënshkrues, vetëm kuvendari Bekim Pocesta ka marrë pjesë në këtë mbledhje në SHKUP e organizuar nga SELA, (dhe ka votuar kundër iniciativës), mund të konkludohet se numri maksimal i kuvendarëve legjitim të pranishëm në këtë mbledhje ka mund të jetë prej 69 kuvendarë (69 ne përkrahje të Selës dhe 75 në përkrahje të Taravarit). Pra, vërtetohet se vendimi nuk është sjellur sipas procedurës të lartpërmendur, gjë që përbën shkelje të rëndë të Statutit të partisë.

(V) Neni 31 përcakton se seanca e jashtëzakonshme obligative e Kongresit “thirret në rastet në vijim: 1. Me kërkesë të Kryetarit të Partisë, 2. Me kërkesë të 2/3 të përbërjes së Kuvendit të Partisë”.

Thirrja e Kongresit të jashtëzakonshëm që duan ta organizojnë ditën do të bëhet sipas procedurës së pikës së 2-të, meqë Kryetari Taravari nuk ka bërë kërkesë. Lirisht mund të konstatojmë se është shkelje e rëndë e Statutit të partisë për shkak se në thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e Kuvendarëve, por kanë votuar vetëm 69 kuvendarë, ndërsa kjo shkelje përbën vepër penale për shkak të manipulimit të listës së kuvendarëve.

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga kryetari Arben Taravari ka shumicën në Kongres, Kuvend dhe në Kryesi dhe çdo vendim i sjellur nga organet e partisë është sipas Statutit. Përveç shkeljeve statutare që janë konfirmuar dhe që janë në proces të konfirmimit, vendimet e nxjerra nga i ashtuquajturi Kuvendi i 10 shkurtit 2024, mund të përbëjnë edhe vepra penale në rast se vërtetohet se për iniciativën për shkarkim të Kryetarit, si dhe për thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë.

Përfaqësuesi ligjor i Aleancës për Shqiptarët, Abidin Abduli theksoi se Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt, përveç se është jolegjitim, ai ngërthen edhe shumë elemente të veprave penale.

“Në proceverbalin e Kongresit i cili është mbajtur më 27 mars 2022 nga kuvendarët e zgjedhur në atë kongres, pastaj nga kuvendarët e zgjedhur më 17 shtator 2022 dhe më 21 janar të vitit 2023, rezulton se shumica e kuvendarëve të regjistruar nuk kanë marrë pjesë në atë kuvend. Unë, para jush, kam deklaratat e dhëna në noter nga 70 kuvendarë të regjistruar të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin e mbajtur më 10 shkurt të këtij viti. Me këtë mund të konstatojmë se Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk ka pasur 2/3 e mjaftueshme për të thirrë Kongres më 18 shkurt dhe Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk ka pasur as gjysmën e kuvendarëve të regjistruar, kështu që ai Kuvend është jolegjitim dhe i falsifikuar”, tha përfaqësuesi ligjor i Aleancës për Shqiptarët, Abidin Abduli.