Alsat sjellë hollësi nga aktakuza për Spitalin Modular në Tetovë

Televizioni Alsat mëson ekskluzivisht hollësi nga dosja penale për Spitalin Modular në Tetovë i cili u përfshi nga zjarri më 8 shtator të vitit kaluar.

Marketing

Burime brenda organit të akuzës njoftojnë se dy drejtorët e spitalit, përgjegjësi i spitalit modular dhe Spitali i Qytetit të Tetovës do të ndiqen penalisht për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mos veprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Piramida e përgjegjësisë sipas burimeve të Alsat nga ana e organit të akuzës është ndarë në përgjegjësi direkte dhe indirekte.

I dyshuar Pozita deri në ditën e tragjedisë Përgjegjësia Akuza
F.B Drejtor i Spitalit të Qytetit në Tetovë Indirekte 288,4 dhe 292, 4
A.E Drejtor Ekonomik i Spitalit në Tetovë Indirekte 288,4 dhe 292, 4
B.V Përgjegjës i Spitalit Modular në Tetovë Direkte 206, 2
Për veprat penale për të cilat dyshohen përgjegjësit e Spitalit të Qytetit dhe Spitali i Qytetit si person juridik parashikohet dënime me burg deri në 5 vite. Megjithëse ndërlidhja e veprave me aktin e pakujdesisë zvogëlon rrezikun e dënimit maksimal.

“Nga 6 muaj deri në 5 vite burg do të dënohet personi zyrtarë ose personi përgjegjës i cili nuk vendos pajisje të parapara për mbrojtje nga zjarri, eksplozivi, përmbytja, helmimi, gazrat helmues ose jonizimi, apo pajisjet nuk i mban në gjendje funksionale ose gjatë nevojës për përdorim nuk vepron sipas rekomandimeve apo rregullativës teknike për masa mbrojtëse dhe me këtë përbën rrezik për jetën e njerëzve ose pasurinë në përmasa të mëdha”, thotë Kodi Penal, Neni 288.

Akti i pakujdesisë ndërlidhet me përgjegjësinë jo të drejtpërdrejt të drejtorëve të Spitali të Tetovës, gjë që mund t’i lehtëson atyre ngarkesën penale nga 5 vite në 3 ose fundja gjobë.

“Ai i cili veprën nga neni 1, 2 dhe 3 e kryen nga pakujdesia do të gjobitet ose do të dënohet me burg deri në 3 vite”, thotë tutje, Kodi Penal, Neni 288, paragrafi 4.

Ndonëse paragrafi 4 i nenit 292 brenda Kodit Penal sanksionon që në rast se si pasojë e veprës ka pasur një ose më shumë viktima parashikohet dënim me burg deri në 5 vite, po i njëjti paragraf i nenit 288 lehtëson barrën penale për udhëheqësit apo përgjegjësit e Spitalit të Qytetit.

Në rastin konkret i takon gjykatës që duke vlerësuar peshën e provave materiale dhe përgjegjësinë e drejtorit ekzekutiv dhe atij ekonomik të vendosë në pranohet ose jo një lehtësim i tillë i propozuar nga organi i akuzës edhe pse aktakuza ka kaluar fazën e vlerësimit dhe është caktuar seanca e parë gjyqësore. Kodi Penal parashikon gjoba dhe dënime me burg për mosveprimin në përputhje me rekomdanimet shëndetësore, akuzë me të cilën ngarkohet përgjegjësi i në Spitalin Modular mbrëmjen e 8 shtatorit.

“Ai i cili në kohë epidemie të ndonjë sëmundje të rrezikshme ngjitëse nuk vepron sipas rregullativës ose urdhëresave përmes të cilave zbatohen masat për parandalimin ose largimin e sëmundjes, do të gjobitet ose dënohet me burg deri në 1 vit. Nëse veprën nga ky nen e kryen personi juridik, do të gjobitet me të holla”, thotë Kodi Penal, Neni 206, paragrafi 1 dhe 2.

Burimet e njëjta shtojnë se dyja ekspertizat, ajo vendase dhe ekspertiza gjermane kanë konstatua se përgjegjësi i repartit modular ose ndryshe i njohur si Spitali Modular ka përgjegjësi të drejtpërdrejt të cilën e ndanë bashkërisht me Spitalin e Qytetit të Tetovë që në pistën e hetimit dhe të akuzës penale udhëhiqet si person juridik.

Hetuesia ka konstatuar se gjatë tenderimit dhe furnizimit publik në ndërtimin e Spitalit Modular nuk ka pasur lëshime dhe nuk ekzistojnë prova mbi të cilat do të ishte zgjeruar hetimi ose do të kishte pasur të dyshuar shtesë në akuzën për natën e kobshme të 8 shtatorit të vitit 2021.

Prokuroria Publike duke u thirrur në mbrojtjen e sekretit hetimor asnjëherë nuk ka arsyetuar para opinionit bazën e aktakuzës e cila faktikisht është larg pritjeve të opinionit dhe familjarëve të viktimave.

Trupi gjykues do të udhëhiqet nga gjykatësi Jordan Vellkovski, ndërsa procesi pritet të zgjasë me muaj për shkak të volumit të lëndës dhe numri të madh të dëshmitarëve.

Zjarri në Spitalin Modular të Tetovës i cili sipas ekspertizave vendase dhe të huaja erdhi si pasojë e kabllos vazhduese ku ishte lidhur defibrilatori, mori jetën e 14 personave, një pjesë e tyre pacientë të infektuar ndërsa një pjesë familjar të cilët kujdeseshin për të afërmit e tyre.

Pas tragjedisë dorëheqjen e dha drejtori i Spitalit të Qytetit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe zëvendësministri e ministri i Shëndetësisë, por Qeveria nuk pranoi largimin e Venko Filipçes i cili aso kohe udhëhiqte me dikasterin e Shëndetësisë. / Alsat.mk