AlternAtivA: Familjarët e Ali Ahmetit zaptojnë pozitat, shqiptarët detyrohen të shpërngulen

Në kohë kur qindra mijëra shqiptarë për çdo ditë detyrohen të braktisin
vatanin dhe të shpërngulen drejt perëndimit, në mungesë të perspektivës
ekonomike në vend, në kohën kur papunësia, thellimi i krizës ekonomike,
shtrenjtimi i çmimeve dhe, në përgjithësi, cilësia e jetës po i detyron
të rinjtë shqiptarë të ndahen nga familjet e tyre, në anën tjetër
vazhdon nepotizmi i paskrupullt i funksionarëve të BDI-së, të cilët me
veprimet e tyre vazhdojnë ta vrasin shpresën e të rinjve shqiptarë.
I tillë është rasti me familjarin e kreut të BDI-së, Besian Ahmeti.
Familjari i Ali Ahmetit, me vendim të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik
Bekteshi, dhe miratim të Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, përmes
favorizimit partiak e familjar, është emëruar sekretar i parë në
Ambasadën e RMV-së në Bruksel, duke ua zënë vendin qindra
profesionistëve shqiptarë të kualifikuar për atë pozitë.
Kjo është arsyeja që ta pyesim z. Ahmeti: edhe sa familjarë ju kanë
mbetur pa akomoduar në institucionet e shtetit? Edhe sa duhet të presin
shqiptarët derisa “Dinastia Ahmeti/BDI” të ngopet mbi kurrizin e tyre?
Edhe sa shqiptarë duhet të shpërngulen për t’u kënaqur familja Ahmeti?
Me këtë rast AlternAtivA i bën thirrje Komisionit për Parandalimin e
Korrupsion dhe të gjitha institucioneve relevante që të reagojnë ndaj
nepotizmit të turpshëm të BDI-së, për të cilin jemi dëshmitarë për çdo
ditë.
Lajmi i mirë në këtë fatkeqësi është se vitin tjetër kjo epokë e turpit
po perëndon, për t’ia hapur rrugën një shprese të re.

Marketing