Të nderuar qytetarë, jemi sot këtu para Misionit të Bashkimit Europian
në Shkup për të dëshmuar edhe në mënyrë simbolike se i mbështesim
qëndrimet e BE-së kundrejt skandalit të fundit me miratimin e Kodit
Penal.
Tashmë nuk është aspak e nevojshme të komentojmë e të shpjegojmë ne për
të konstatuar se kush po e keqpërdor “Europën”. Është vetë ambasadori i
BE-së ai që ka deklaruar se Komisioni Evropian ka reaguar për përdorimin
e flamurit të BE-së për ndryshimet në Kodin Penal dhe se BE-ja e
konsideron të papërshtatshme këtë, duke shpjeguar se kjo është një
çështje që kërkon diskutim, aq më shumë që këto ndryshime janë rrezik
për shtetin e së drejtës përderisa e hapin rrugën e rritjes së
mosndëshkimit.
Megjithatë, si kundërpërgjigje për Brukselin, është deklarata e Ali
Ahmetit para disa ditëve kur tha se “edhe Brukseli edhe Uashingtoni, kur
të hyjnë në analizë më të thellë, do t’i kuptojnë arsyet. Jemi në proces
screening-u dhe ndryshimet në drejtësi janë një prioritet”.
Kjo përgjigje e tij jo vetëm që e fyen inteligjencën e qytetarëve dhe
inteligjencën e Komisionit Evropian, por zbulon se keqpërdorimi është
bërë kryefjala i këtij subjekti.
Për faktin se është keqpërdorur flamuri Eropain nuk jemi aspak të
çuditur.
Ne tashmë jemi mësuar që të keqpërdoren flamujt në realizimin e
qëllimeve të tyre dhe kjo ndodh për dekada me radhë. Ata e keqpërdorën
flamurin shqiptar për të manipuluar me shqiptarët se e duan interesin e
tyre, siç ishte edhe manipulimi me idenë e kryeministrit shqiptar, që
tash të deklarojnë se ka mbaruar koha e patriotizmit, për të kaluar
pastaj në ndryshimet në Kodin Penal, sepse kjo qenka e nevojshme për
reformat në drejtësi dhe këtë na e kërkuaka BE-ja. E tash kur edhe vetë
BE-ja ka reaguar negativisht ndaj këtij ndryshimi, ata përsëri dalin të
manipulojnë duke thënë se “mos u shqetësoni, sepse BE-ja e SHBA-ja nuk e
kanë kuptuar mirë arsyen e atij ndryshimi në Kodim Penal dhe nuk e dinë
sa i rëndësishëm është ky ndryshim”. Ofendim më të madh BE-së dhe
SHBA-së, në këto 20 vjetët e fundit, nuk u ka bërë askush.
Sidoqoftë, vërtet ky shpjegim nxit shumë pyetje. Për shembull, cilat
ministra të Ahmetit e të kësaj qeverie janë më të mirë në analizën se
çka është e mirë për drejtësinë sesa ekspertët e BE-së nëse vërtet janë
aq të mirë për t’i vlerësuar ndryshimet e nevojshme? Ku ishin ata për 20
vjet që e lanë të çalojë në këtë mënyrë drejtësia në vend? Cili flamur e
ka radhën të manipulohet? A është koha që Europa të marrë leksione nga
“ekspertët” e LDSM-së, BDI-së dhe ASH-së analizat në sistemin e
drejtësisë? Edhe sa ndryshime jorelevante do të bëhen nën flamurin
europian?
Këto janë pyetje që mbase “eksperti i integrimit europian”, z. Ali
Ahmeti, mund të përgjigjet në ditët në vijim.