Nxënësve shqiptar në f. Idrizovë, në Shkollën Fillore “Njegosh”, ku
nxënësit shqiptarë po e bojkotojnë mësimin, ende nuk u lejohet të
mësojnë në gjuhën amtare shqipe.
Edhe pse e drejtë e garantuar me kushtetutë e me çdo konventë
ndërkombëtare, nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ende përballen
me probleme esenciale, si ajo e nxënies së mësimit në gjuhën e tyre
amtare. Përveç që është e dhimbshme të shohësh fëmijët dhe arsimin shqip
të katandisur në këtë mënyrë, është irrituese se pse ende nuk është
marrë një masë për tejkalimin e kësaj situate.
Asnjë justifikim objektiv nuk është i mjaftueshëm për ta racionalizuar
këtë nevojë elementare të nxënësve shqiptarë. Ndoshta për Ali Ahmetin ka
mbaruar koha e patriotizmit, por patriotizmi i tij i rrejshëm nuk
shërbeu gjë as për më shumë se 20 vite, që të gjithë shqiptarët të mund
ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa dëshmi për këtë janë
nxënësit e Idrizovës sot, të Velesit dje, të Manastirit pardje e kështu
e radhë. Ndërkohë që ministrat e Arsimit të partisë së tij vijnë e
shkojnë, nxënësit shqiptarë të drejtën kushtetuese për mësim në gjuhën
shqipe akoma nuk e gëzojnë. Në të vërtetë, se Ahmetit nuk i ka
interesuar kurrë në të vërtetë gjuha shqipe, për këtë është dëshmi edhe
mospranimi i amendamentit tonë për emërtimin e drejtë të gjuhës shqipe
në kushtetutë.
Megjithatë, kur jemi këtu dëshirojmë të pyesim se si ndjehen sot
pseudopatritotët e BDI-së kur i shohin nxënësit shqiptarë në rrugë në
pamundësi për ta ndjekur mësimin në gjuhën amtare? Sa ia vlejtën
thirrjet patriotike dhe qeverisja dydekadëshe për ta përmirësuar
situatën e palakmueshme për nxënësit shqiptare? A është ngopur qeveria
me pamje të tilla të nxënësve dhe a e ka ndër mend të veprojë ndonjëherë
në të mirë të arsimit?
Sidoqoftë, ne – partitë opozitare shqiptare – e ngremë shqetësimin tonë
për këtë çështje dhe kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si
dhe nga Komuna e Gazi Babës që sa më shpejt të ofrojnë zgjidhje për këtë
problem. Në të kundërtën, pasojat do i bartin vetë ata.