AlternAtivA: Ministria e Kulturës po bën hapa prapa, po i zhbën të drejtat që i arritën punonjësit e kulturës gjatë qeverisjes sonë

Në ditën e parë që morëm detyrën në Ministrinë e Kulturës e pranuam
sfidën më të rëndë të sektorit që nga pavarësia e shtetit. Nga koha
qëkur nuk ishte nënshkruar asnjë marrëveshje kolektive, disa
institucione e kanë komentuar si të skaduar marrëveshjen, me ç’rast
kishin hapur vende të reja të punës që s’kanë qenë pjesë e katalogut,
koeficiente të imagjinuara, marrëveshje individuale ose në kuadër të
institucionit e të ngjashme.
Për ta tejkaluar këtë sfidë, si zgjidhje e përkohshme ishte nivelizimi i
pagave sipas vendit të punës dhe përgjegjësisë, që ishte një hap
pozitiv, por jo i mjaftueshëm, që rezultoi me marrëveshje të re
kolektive, që filloi të implementohet nga janari i vitit 2020.
Për fat të keq, punonjësit e kulturës, si dhe kultura në vend, tash po
bën hap prapa në vend se të ecë përpara në kuptimin e të drejtave të
punëtorëve. Ndonëse ka skaduar marrëveshja e vitit 2020, nuk do të thotë
që ajo është jovalide. Vetë fakti se punonjësit i kanë vendimet dhe
kontratat në bazë të marrëveshjes së fundit, kjo tregon mjaftueshëm se
cilat të drejta i gëzojnë ata.
Ministria e Kulturës nuk mund të luajë “3 majmunët” me një vendim
qeverie. Në fund të këtij procesi të pakuptimtë për ulje rrogash (me
arsyetimin se sferat tjera fitojnë më pak), të gjithë punonjësit e
kulturës do t’i fitojnë të drejtat e tyre nëpërmjet sistemit gjyqësor.
Në fund, Ministria me këtë veprim, do të kthehet te rruga e vjetër për
të shpërndarë koeficiente në mënyrë selektive, gjë që sërish do të duhet
të përmirësohet me nivelizim të ri dhe marrëveshje të re kolektive.
Dhe, gjithë kjo do t’i kushtojë buxhetit edhe më shumë se rritja e
rrogave me kalkulimin e marrëveshjes aktuale.
U sugjeroj drejtorëve që mos të marrin vendime në bazë të një
informacioni qeveritar dhe ta respektojnë ligjin, ndërsa punëtorët e
kulturës ta kërkojnë të drejtën e tyre të vonuar.

Marketing