AlternAtivA: Orhan Murtezani është kandidat për ministër në Ministrinë e Eurointegrimeve

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë Qendrore të Alternativës është diskutuar për emrin e kandidatit të Alternativës për ministër në Ministrinë e Eurointegrimeve dhe me këtë rast në mënyrë unanime është vendosur që kandidat i Alternativës për këtë resor të jetë Orhan Murtezani, ish drejtor në MEPSO dhe në Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti, si dhe Sekretar për Marrëdhënie me Publikun e zëdhënës i Alternativës.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe kandidati për zëvendësministër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe po ashtu me vota unanime për këtë detyrë është propozuar Prof. dr. Lulzim Aliu, profesor universitar e prodekan në Fakultetin Pedagogjik, ish zëvendësministër i Arsimit dhe aktualisht Sekretar i Sekretariatit të Politikave Strategjike në Alternativë.
Meqë Alternativa e ka marrë edhe përgjegjësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Bashkësive Etnike, Kryesia Qendrore diskutoi edhe për këtë emër dhe në mënyrë unanime vendosi që kandidati i Alternativës për këtë detyrë të jetë Safije Sadiki Shaini – profesoreshë universitare, ish deputete dhe aktualisht nënkryetare e Alternativës.
Përveç kësaj, në këtë mbledhje u diskutua edhe për temën e dorëheqjes së, tashmë, ish kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, i cili është zgjedhur në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke gjykuar se në të mirë të përfaqësimit të partisë është që partia të ketë kryetar të plotfuqishëm, Kryesia Qendrore e Alternativës ka vendosur që ta ftojë Kuvendin Qendror, të cilit do t’i propozojë që të marrë vendim për organizimin të kongresit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të kryetarit të Alternativës.

Marketing
Marketing