Sot jemi këtu që t’ju njoftojmë juve, por edhe të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare në vendin tonë se kohëve të fundit pushteti po ushtron presion të tmerrshëm dhe të turpshëm ndaj aktivistëve të Alternativës.
Javën që e lamë pas nga kabineti i ministrit të Drejtësisë i paraqiten këshilltarit tonë në Komunën e Tetovës, që është i punësuar në njësinë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë në Tetovë, dhe i thonë se do t’ia transferojmë vendin e punës në qytet tjetër, ndërsa kjo vjen vetëm pasi që ai ka bërë disa shpërndarje të reagimeve të Alternativës kundrejt ministrit të Shëndetësisë, po ashtu eksponent i Aleancës për Shqiptarët. Para ca ditësh ishim në Strugë, ku u hap zyra e re e Alternativës atje dhe të nesërmen Drejtoria e Librave Amë në Ohër u kërcënohet me ndërprerje të kontratës punëtorëve, që kanë qenë në atë ceremoni.
Shembuj të këtillë ka pa fund. Kemi dhjetëra aktivistë të Alternativës që, përmes kësaj forme të detyrimit zyrtarisht kanë kaluar tashmë në radhët e ASH-së, por vazhdojnë të komunikojnë me ne, ndërsa numri është shumë më i madh i atyre që tashmë ua kanë ndërprerë kontratat, madje edhe në rastet kur i kanë pasur të afatizuara deri në fund të vitit.
Përveç kësaj, presioni dhe terrori psikologjik është bërë i padurueshëm. Nuk ka ditë që aktivistë tanë të mos na paraqiten me ankesa se janë nën presion të hatashëm, ndërsa habia më e madhe është që kjo vjen gjithnjë e më shumë nga eksponentë të Aleancës për Shqiptarët. Aty ku nuk kalon joshja e nxitja, vijon presioni. Ditëve të fundit jemi të informuar se kërcënimi vijon edhe në formë të “informacionit” se do të ketë reduktim të stafit arsimor nëpër shkolla, kjo për shkak të uljes së numri të klasave, dhe se kjo do t’i godasë pikërisht ata arsimtarë që mund të kenë simpati për Alternativën ose të jenë aktivistë të saj.
Duke protestuar kundër kësaj mënyre të diferencimit të njohur vetëm për kohën e monizmit, jemi këtu që të reagojmë dhe të themi se këto forma të ulëta të presionit nuk do të kalojnë asnjëherë. Në kohë të komunizmit këto presione i ushtronte një pushtet që nuk fliste shqip, por presioni që bëhet në gjuhën shqipe qenka edhe më i rëndë, edhe më i turpshëm.
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën, të mbajmë evidencë dhe t’i njoftojmë të gjitha institucionet relevante të të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, Avokatin e Popullit, por edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, që mos të lejojmë që një vend që është nisur për në BE, të përfundojë në diktaturë.
Lajmi më i mirë se ky është se ky pushtet i ka ditët e numëruara dhe se së shpejti vjen lajmi i mirë i lirisë për secilin punëtor që, pavarësisht bindjeve të tij politike e ideologjike, të mund ta ushtrojë profesionin e tij i lirë dhe me dinjitet.