AlternAtivA: Qeveria ka dështuar, por faturën po e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre

Të shqetësuar për realitetin aktual shumë të rëndë me shëndetin publik në vendin tonë dhe për të nesërmen shëndetësore të qytetarëve tanë, AlternAtivA dëshiron ta ngrejë alarmin për mungesën e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe, përgjithësisht, Qeverisë, për menaxhimin e kësaj pandemie, nevojën urgjente të angazhimit të të gjitha resurseve profesionale të sektorëve të ndryshëm për menaxhimin me këtë situatë shëndetësore thellësisht të rënduar dhe domosdoshmërinë e sensibilizimit të qytetarëve tanë për respektimin e masave për mospërhapjen e infeksionit.
Ne gjykojmë se, fatkeqësisht, kjo qeveri, Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk i morën në kohë masat e nevojshme për parandalimin e infeksionit me SARS COV2 dhe e neglizhuan nevojën për t’u përgatitur me valën e dytë. Si pasojë e kësaj, vendi ynë sot po përballet me valën e dytë të pandemisë, duke shënuar numër shumë-shumë të madh të të infektuarve, të sëmurëve me COVID-19 dhe të vdekjes së tyre.
Kjo situatë ka nxjerrë në skenë:
– mungesën e kapaciteteve, aparaturave mjekësore dhe materialeve të tjera për mjekim, veçanërisht të rasteve të rënda, por edhe të të sëmurëve të tjerë të hospitalizuar;
– mungesën e personelit mjekësor të nevojshëm, kjo si pasojë edhe e infektimit dhe sëmurjes në vazhdimësi të një numri jo të vogël të këtij personeli në kushtet e mungesës se materialeve dhe hapësirave të papërshtatshme në një pjesë të madhe të spitaleve të vendit tonë;
– kaosin e keqmenaxhimit dhe komunikimit jo të drejtë dhe jofunksional ndërmjet qendrave Covid;
– humbjen e besimit te sistemi ynë shëndetësor;
– politizimin e shëndetësisë dhe përplasjen e saj me interesa të tjera; dhe
– mungesën e një protokolli të unifikuar dhe të miratuar për mjekimin e këtyre të sëmurëve.

Marketing

Fatkeqësisht, institucionet kompentente me papërgjegjësinë e tyre na sollën në një situatë kritike, ku “vala e dytë” e pandemisë na ka përfshirë si një stuhi vrastare, që për çdo ditë e më shumë po merr jetë njerëzish të moshave të ndryshme. Të mos harrojmë se Maqedonia e Veriut është në vendin e parë në Europë për vdekshmërinë nga Covid-19, kjo mbase edhe për shkak të mungesës ose keqmenaxhimit me oksigjen te pacientët e shtruar nëpër spitale.
Në kohën që ministri i Shëndetësisë deklaron se edhe kapacitetet spitalore të spitaleve private do të angazhohen në përballjen me të sëmurët me Covid-19, në kohën kur Qeveria ka shpallur gjendje krize për 30 ditë, është e kuptueshme se sistemi shëndetësor publik në vendin tonë është buzë kolapsit dhe se shëndeti publik është rënduar tejmase.
Nga kjo katrahurë e sistemit tonë shëndetësor po vuajnë edhe të sëmurët kronikë dhe të sëmurët e tjerë, të cilët diagnostikohen dhe trajtohen me vonesë ose që vazhdojnë të jenë të padiagnostikuar. Kjo gjendje është me pasoja të rënda për shëndetin e këtyre të sëmurëve, por askush nga institucionet kompetente nuk është i interesuar dhe nuk e vlerëson këtë, sepse ata janë të përmbytur në paaftësinë e menaxhimit të kësaj situate. Tashmë është e dukshme se Qeveria ka dështuar, por faturën e këtij dështimi po e paguajnë qytetarët me pasoja shëndetësore, me pasoja ekonomike e sociale, por – fatkeqësisht – një numër jo i vogël i rasteve edhe me jetën e tyre.
Të shqetësuar tejmase për shëndetin e qytetareve tanë, ekonominë dhe problemet sociale të familjeve, kërkojmë që:
– Qeveria të ndalojë me politizimin e pandemisë dhe të hapet për të gjithë që mund të ndihmojnë, në mënyrë që mos dëmtohet edhe më shumë shëndeti i qytetarëve. Në të kundërtën vendi ka nevojë urgjente për një qeveri tjetër dhe
– Qytetarët t’i respektojnë rreptësisht masat për mbrojtjen e shëndetit dhe të kujdesen maksimalisht që mos jenë as viktima të infektimit, por as burim i infektimit.

Me këtë rast AlternAtivA edhe një herë shpreh respektin dhe mbështetjen e saj për gjithë personelin mjekësor dhe teknik, që edhe në kushte shumë të vështira po punon për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve, shpesh duke e rrezikuar edhe shëndetin personal dhe te familjeve te tyre.

Marketing