AlternAtivA : Qeveria po e rëndon jetën ekonomike të qytetarëve

Sipas informacioneve që i ka grumbulluar Departamenti i Ekonomisë dhe
Financave pranë partisë AlternAtivA, nga shtatori i këtij viti shumë
produkte, që konsumohen rregullisht nga qytetarët, do të kenë TVSH më të
lartë, kështu edhe çmime të reja më të larta, kjo për faktin se qeveria
– me ndryshimet në ligj – ato i vendos në kategorinë e produkteve
luksoze.

Marketing

Kështu nga prodhuesit e qumështit është paralajmëruar se do të ketë
rritje të çmimit të produkteve të qumështit, djathi mund të shtrenjtohet
deri 30 për qind, që është një çmim shumë i lartë për standardin tonë.
Rritja e çmimeve në industri dhe produkte të qumështit është rezultat i
uljes së veprimtarisë së blegtorisë në vend dhe kjo vjen si rezultat i
politikave të gabuara të kësaj qeverie, duke mos i subvencionuar dhe
duke mos u kujdesur sa duhet për këtë kategori, por edhe nga mungesa e
një plani afatgjatë të qëndrueshëm në blegtori. Çmimet e perimeve dhe
frutave po ashtu kanë një rritje dhe tani janë më të shtrenjta, ndërsa
nëse e shtojmë dhe TVSH-në 5%, rritja është edhe më e lartë – deri në
100 për qind. Marrë në përgjithësi, çmimet e disa produkteve bazë janë
rritur mbi 40 për qind.

Analizat tona tregojnë se paraja po e humb vlerën e saj, andaj
paralajmërojmë se nga shtatori do të ketë rritje të çmimeve dhe të
inflacionit, kjo për shkak të mungesës së masave parandaluese që duhet
t’i ndërmarrë qeveria. Ndonëse qeveria mburret se masat e saj janë
efektive kundër inflacionit, por ne besojmë se nuk do të ketë ulje reale
të çmimeve. Në fakt, në Maqedoninë e Veriut kemi proporcion të zhdrejtë,
ku inflacioni në korrik u ul, por shporta e konsumit sindikal po atë
muaj u rrit.

Pavarësisht se statistikat zyrtare flasin për ulje të
inflacionit, të dhënat nga Enti i Statistikave tregojnë se inflacioni ka
arritur në 8,4 për qind, ndërsa në realitet është edhe më i lartë.
Me këto çmime, një familje me katër anëtarë dhe me dy paga minimale,
realisht, nuk mund t’i mbulojë shpenzimet bazë mujore. Të dhënat
empirike thonë se familjes katëranëtarëshe këtë muaj i nevojiten 48.620
denarë për ta plotësuar shportën minimale sindikale. Është një rritje
prej 441 denarësh në krahasim me llogaritjet për shportën e konsumit në
qershorin e kaluar.

Kjo rritje e shportës së konsumit “vërtet i godet
xhepat e punëtorëve dhe qytetarëve”.
Kjo është arsyeja që AlternAtivA sugjeron që qeveria një ditë e më parë
të ndërmarrë masa për ta përballuar krizën ekonomike, pra goditjen e
çmimeve dhe të inflacionin. Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje të
veçantë nevojës për mosrritjen e mëtejshme të çmimit të energjisë
elektrike, për ta parandaluar kështu rritjen e çmimeve të një numri të
madh produktesh. Në të kundërtën, kjo do të shkaktojë mungesë të disa
produkteve dhe mbyllje të disa bizneseve që i prodhojnë ato. Prandaj
shteti do duhet të ketë masa të reja të paketës sociale, ku qytetarëve
më të rrezikuar duhet t’u sigurohet subvencionim për blerjen e disa
produkteve ushqimore dhe të energjisë elektrike në formë të kuponëve
(vauçerëve) dhe ato t’u shpërndahen personave që kanë të ardhura nën një
kufi të caktuar.

AlternAtivA shpreson se në qeveri megjithatë ka mbetur edhe ndonjë njeri
i ndërgjegjshëm për hallin e qytetarëve dhe se këto masa do të
ndërmerren sa më urgjentisht.