AlternAtivA: Të dislokohet urgjentisht deponia në Nikushtak

Alternativa e Afrim gashit ka reaguar sot në lidhje me deponinë mes fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë që sipas tyre, për 23 vite radhazi po i helmon banorët e këtyre anëve, përcjell KlanM.

Marketing

Deputetje e kësaj partie, Safije Sadiki Shaini ishte sot tek deponia në fjalë, prej ku kërkoi dislokimin e saj, duke i bërë thirrje partive në pushtetin lokal dhe atë qendror.

“Përkundër faktit se në Këshillin Komunal të Komunës së Likovës është votuar dislokimi i kësaj deponie, ku edhe këshilltarët tanë kanë votuar dhe janë angazhuar për këtë qëllim, e vërteta e dhimbshme është se kjo deponi ka mbetur këtu, ndërsa pushteti lokal i BDI-së në Komunën e Likovës dhe shokët e tyre në pushtetin qendror, nuk e kanë bërë as edhe një hap më shumë në terren.
Përveçse një prej ndotësve më të mëdhenj, kjo deponi është shndërruar në rrezik potencial edhe për qytetarët që e shfrytëzojnë rrugën për komunikacion që kalon përmes deponisë. Para ca ditësh, pikërisht për shkak të tymit të shkaktuar nga djegia e mbeturinave të kësaj deponie, ndodhi një aksident komunikacioni, fatmirësisht pa pasoja të rënda, por kjo na bën të pyesim se a duhet të presim raste fatale që të vijmë të qajmë këtu”, deklaroi deputetja Safije Sadiki Shaini.

Shaini shtoi se për çdo pasojë që do të vijojë nga prania e kësaj deponie, fajtorë do të jenë partitë në pushtet, qoftë atë lokal apo qendror.

“Si deputete e kësaj zone, por edhe si nënkryetare e Alternativës, jam sot këtu që të shpreh indinjatën e thellë ndaj indiferencës së kësaj qeverie, ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI, e cila e kaloi një fushatë duke trumpetuar me flamur të gjelbër, ndërsa gjelbërimin e bëri nocion të panjohur për shqiptarët. Për fat të keq, jo më pak faj kanë edhe autoritetet e Komunës së Likovës, që para dy viteve premtuan ndërtimin e një muri rrethues në këtë deponi, por – siç e shihni – ende nuk ka asgjë prej këtij projekti, edhe pse as kjo nuk do ta zgjidhte problemin. E kur jemi të premtimet, nuk ka kaluar fushatë që BDI-ja nuk ka ardhur në zonën tonë të premtojë ndërtimin e një deponie rajonale për menaxhim me mbeturina, ndërsa kanë kaluar 23 vjet dhe le që nuk ka asgjë nga ai premtim, por kjo gjendje ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar. Në fakt, sa më shumë që BDI-ja premton gjelbërim, aq më shumë shtohen deponitë e egra në vendbanimet shqiptare, gjë që na bind se ata nuk e kanë mendjen te ajri i pastër, por vetëm te tenderët e ndytë”, tha deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini.

Marketing