AlternAtivA: Vauçerë socialë kundrejt masës populiste të ngrirjes së çmimeve

Ashtu si në dimensionin e drejtësisë, politikat e gabuara e të dëmshme
të kësaj qeverie lënë shumë për të dëshiruar edhe në mirëqenien
ekonomike të qytetarëve. Kështu, duke e pasur mendjen si t’i shpëtojnë
kriminelët, drejtuesit e qeverisë – me politikat e tyre të gabuara –
kanë mundësuar të krijohen çmime jashtëzakonisht të larta të produkteve
ushqimore. Sa për krahasim, derisa në Europë kemi shtrenjtim për vetëm
11%, në Maqedoni të Veriut shtrenjtimi i këtyre produkteve është 46%.
Përveç kësaj, çmimet e derivateve të naftës tashmë janë më të lartat në
rajon, kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike, ndërsa pagat
vazhdojnë të jenë më të ulëtat në rajon, duke e rënduar kështu
seriozisht jetesën e qytetarëve.
Për fat të keq, këtë gjendje të rënduar nuk e zbut as ngrirja e çmimeve
të produkteve ushqimore, që është një masë populiste që bëhet për efekte
elektorale dhe nuk e jep efektin e duhur. Kjo është një zgjidhje e
përkohshme, që nuk e ndihmon rritjen e ekonomisë, ndërsa e dëmton rëndë
industrinë ushqimore dhe, për pasojë, mund të kemi edhe mungesë të
produkteve ushqimore, ulje të kapaciteteve prodhuese dhe reduktim të
vendeve të punës. Në këtë mënyrë do të kemi rritje të importit të
produkteve, duke krijuar kështu monopol për disa kompani të lidhura me
pushtetin, që edhe në kohë krize do të përfitojnë në kurriz të
qytetarëve. Analizat me të cilat disponojmë ne flasin se nga masa “e
ngrirjes së produkteve ushqimore” kursimet arrijnë në 1500 den., gjë që
është shumë larg nevojës së shportës mujore të konsumatorit.
Prandaj AlternAtivA gjykon se në këtë kohë të krizës ekonomike dhe
varfërisë, që shfaqet gjithnjë e më shumë, zgjidhje emergjente është
ndihma financiare në shpërndarjen e kuponëve (vauçerëve) socialë për
grupet e rrezikuara sociale, kategoritë e qytetarëve me të ardhura më të
ulëta dhe pensionistët, por kjo shumë nuk duhet të jetë më e vogël se
30% e rrogës minimale.
Për ata që kërkojnë zgjidhje, gjithmonë ka alternativë.

Marketing

 

AlternAtivA – Shkup