Ambasada amerikane godet rëndë AKI’në dhe politikanët që dëbuan para 1 viti gylenistët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Nga ambasada thonë se gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar, që janë 31 shkelje nga institucionet e Kosovës lidhur me këtë rast, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana, në këtë rast të AKI’së, dhe manipulimit politik, transmeton Express

Marketing

Në një deklaratë të dërguar nga Ambasada e SHBA’së në Kosovë thuhet se, pasi Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ngre shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë në vend si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik.

Amerikanët u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këto që shkel ligjin dhe rikujton liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit, shkruan Gazeta Express.

“Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij”, shkruan në deklaratën e Ambasadës së SHBA’së.

Duke e ditur se nga Komisioni janë gjetur shkelje, Ambasada amerikane thotë se ato gjetje, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, “ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik. Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.

“Nuk kemi të bëjmë me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Marketing