Ambasada amerikane në Prishtinë ka shfaqur shqetësimin e saj rreth vonesës për emërimin e 10 përfaqësuesve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).
Në deklaratë për media, kjo ambasadë thekson se dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore.
Sipas kësaj ambasade “më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës”.
“Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike. E nxisim Presidentin Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në deklaratë.