Ambasadori amerikan: Kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës nuk janë presion

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët të mërkurën, në Prishtinë tha se kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë lidhje me presionin.

Marketing

Ai tha se vendi, megjithatë, nuk do të mund t’i vazhdojë proceset integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë – pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Hovenier.

Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, duke marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe se një nga synimet më të mëdha strategjike është “ta shohim Kosovën në vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

“Si. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim dhe shpresoj se është shumë e qartë: SHBA-ja ka një përkushtim të fortë afatgjatë ndaj popullit të Kosovës”, tha ambasadori Hovenier.

“Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tani për tani të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, qëllimisht, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, shtoi ai.

Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër.