Ambasadori amerikan në Shkup i përgjigjet akuzave të Moskës (VIDEO)

Maqedonia çdo ditë e më shumë po shndërrohet në fushëbetejë mes Moskës dhe Uashingtonit. Ambasadori amerikan Xhes Bejli tha se janë absurde akuzat e Ministrisë së Jashtme ruse, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndikuar në votimin PRO nevojës për ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Janë dukshëm absurde akuzat se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të jashtëligjshme janë përfshirë dhe kanë ndikuar votimin në Kuvend, kjo është absurde. Siç kemi deklaruar ne e kemi mirëpritur votimin në Kuvendin e Maqedonisë për të iniciuar ndryshimet Kushtetuese dhe zbatuar Marrëveshjen e Prespës”, tha Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, përcjellë TV21.

Dy ditë më parë, në një reagim për votimin e 19 tetorit në Kuvend, Ministria ruse për Punë të Jashtme akuzoi se 8 votat e opozitës u siguruan me shantazh, kërcënime dhe ryshfet.

“Deputetët u mbyllën në zyra, telefonat e tyre u konfiskuan, me sa duket në frymën e praktikës demokratike evropiane. Vlen të përmendet se ambasadori amerikan ishte në parlament deri në fund të seancës, gjë që nuk lë asnjë dyshim se kush e udhëhoqi këtë proces”, u shprehën nga Ministria për Punë të Jashtme e Federatës Ruse.

Por ambasadori Bejli mohon që atë ditë të ketë qenë në Kuvend.

“Unë për veten time atë ditë po punoja në zyrën time, mora pjesë në eventin e ambasadës në mbrëmje dhe si shumica e qytetarëve të Maqedonisë e përcolla votimin në televizion nga dhoma ime e ndenjes”, tha Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

Akuzat e Moskës se përfaqësues të ambasadës amerikane janë përzier procesin e votimeve i ka hedhur poshtë edhe Departamenti Amerikan i shtetit duke i quajtur përpjekje për dezinformim dhe propagandë. Departamenti gjithashtu përsërit qëndrimin se SHBA-të e përshëndesin arritjen e 2/3-tave në Kuvend, që i hapë rrugën ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Kujtojmë se një ditë pas votimit të nevojës për ndryshime kushtetuese, ambasada ruse në Shkup, në Tuiter shkroi se Rusia ka 26 vite që e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues dhe se nuk e ndërron këtë qëndrim./TV21

Marketing