Ambasadori Dedaj vizitoi Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, sot priti Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gjergj Dedaj.

Marketing

Në takim, drejtori i Agjencisë e njoftoi ambasadorin Dedaj mbi themelimin e institucionit, rolin e tij, misionin, masat e ndërmarra dhe për aktivitetet e ardhshme.

Ambasadori Dedaj i uroi sukses drejtorit të Agjencisë dhe ekipit të tij, në ndërmarrjen e masave për zbatimin e ligjit, nga ana e institucioneve të shtetit.

Dedaj tha se RMV-ja është vend fqinj i Kosovës dhe gjithmonë kanë bashkëvepruar në përparimin e vendeve për anëtarësim në NATO dhe BE. Prandaj, sipas tij, vendi duhet të respektojë ligjet dhe të drejtat gjuhësore.

“Maqedonia e Veriut, që të pranojë standardet evropiane, duhet t’i miratojë dhe zbatojë ligjet për barazi gjuhësore, kulturore etj, me ç’gjë edhe shpresojmë që Maqedonia të anëtarësohet në NATO, e Kosova e mbështet fuqimisht”, tha Dedaj.

Barazia etnike dhe gjuhësore është një çështje thelbësore për funksionimin e një shteti, tha në fund Ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj.