Ambasadori Grenell takon një delegacion të LDK-së

I dërguari presidencial për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan, Richard Grenell, është takuar në Berlin me një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Marketing

Sipas një komunikate të LDK-së, ambasadori Grenell inkurajoi delegacionin e LDK-së që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e avancojnë dialogun me Serbinë.

“Ambasadori Grenell, po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Takimi zhvillohet në kohën kur bisedimet për formimin e qeverisë së re, ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk kanë prodhuar një marrëveshje.

Në komunikatë, thuhet se delegacioni i LDK-së, në përbërje të të cilit ishin Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Skender Hyseni, e njoftuan ambasadorin Grenell për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë.

Shtetet e Bashkuara, më 4 tetor, emëruan ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar presidencial për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Konsituimi i Kuvendit të Kosovës u bë më 26 dhjetor, mirëpo formimi i qeverisë ende mbetet i paqartë për shkak të dallimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti pritet të takohën më 6 janar, për konsulta lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.