Ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut,vizitoi Universitetin e Tetovës

Ambasadori i Austrisë në vendin tonë, ekselenca e tij Georg Woutsas,i shoqëruar nga konsulli z. Lukas Bachmeier, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës. Ata, fillimisht u takuan me Rektorin e UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ku diskutuan tema të ndryshme me theks të veçantë për zhvillimet në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Pas këtij takimi, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me ambasadorin, z. Georg Woutsas e vizituan Këndin Austriak, që ndodhet në hapësirat e Universitetit të Tetovës dhe bashkërisht promovuan edhe një sasi të konsiderueshme të librave, të cilat iu dhuruan Këndit Austriak nga qeveria austriake.

Marketing

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi ambasadorin austriak për vizitën në UT, duke shtuar se institucioni që ai e drejton, së bashku me profesorët dhe studentët janë shumë mirënjohës ndaj shtetit të Austrisë dhe ambasadës së saj në vendin tonë, për ndihmën e pakursyer që i japin këtij institucioni. “Ju keni bërë dhe bëni një punë të shkëlqyer, duke na ndihmuar të jemi edhe ne pjesë e Bashkimit Evropian. Shpresojmë se ky bashkëpunim nuk do të ndërpritet dhe do të vazhdojë edhe më tutje, sepse Ballkani ballafaqohet me shume probleme, andaj prezenca e juaj sot, edhe e vetë Austrisë dhe Bashkimit Evropian do të na ndihmojë ta tejkalojmë shumë më lehtë këtë pjesë të tranzicionit”, u shpreh Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, z. Georg Woutsas tha se Austria do të jetë në mbështetje të universitetit, jo vetëm në fushën diplomatike por edhe në atë kulturore. “Unë ju siguroj se Austria është një vend që do të ju mbështesë në vazhdimësi. Mbështetja dhe bashkëpunimi i Austrisë nuk do të jetë vetëm në fushën diplomatike, por edhe në atë kulturore dhe ne sot këtu për Këndin Austriak kemi sjellë disa libra që do t’u shërbejnë studentëve. Edhe pse jetojmë në një kohë digjitale, mendoj se përsëri libri mbetet si diçka e bukur dhe që e ruan peshën e vet. Më vjen mirë që sot këtu në hapësirat e Këndit Austriak shoh disa libra që edhe vetë i kam lexuar si i ri dhe këtu shoh të rinj dhe të reja të cilët besoj se edhe ata do t’i lexojnë dhe nuk do të zhgënjehen”, tha ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut, z. Georg Woutsas.

Kjo ngjarje u përmbyll me vizitën e delegacionit austriak te lapidari “Flakadani i Kujtesës” dhe shtatorja e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.