Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, priti në zyrën e tij Kimo Lahdevirtën, ambasadorin jorezident të Republikës së Finlandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim, drejtori Sela e përshëndeti vizitën e ambasadorit Lahdevirta në AZGJ si përfaqësuesi i një vendi me traditë dhe përvojë të madhe në zbatimin e konceptit qytetar të shumëgjuhësisë, duke pasur parasysh se finlandishtja dhe suedishtja janë gjuhë zyrtare në Republikën e Finlandës.
Njëherazi, drejtori Sela e informoi ambasadorin Lahdevirta për punën e deritashme të AZGJ-së, aktivitetet e planifikuara për vitin 2020 si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet AZGJ-ja në aspekt të nevojës për plotësimin e ekipit me kuadër dhe në aspektin teknik për arritje të kapaciteteve të plota operative të institucionit.
Ambasadori Lahdevirta e vlerësoi si tejet pozitive dhe të vlefshme vizitën e tij në AZGJ me ç’rast i paraqiti përvojat e veta nga modeli finlandez rreth zbatimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare, duke shprehur gatishmërinë e tij për sigurimin e kontakteve relevante nga pala finlandeze për realizimin e vizitave dypalëshe në nivel ekspertësh.
Të dyja palët u angazhuan për vazhdimin e dialogut dhe shprehën gatishmëri për inicimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.