Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Siril Bomgartner ka vizituar Komunën e Likovës, me ç’rast u prit nga kreu i Likovës, Erkan Arifi. Kreu i Komunës e njoftoi ambasadorin me problemet dhe sfidat me të cilat përballet kjo Komunë e që janë të një rëndësie jetike për banorët e kësaj ane.
“Në kuadër të këtij takimi, të kësaj vizite time të parë u njoftuam dhe u informova me sfidat, vështirësitë socio-ekonomike me të cilat ballafaqohet komuna juaj.”,- tha ambasadori i Francës në RMV, Siril Bomgartner.
“Sa i përket projektit kapital të ujësjellësit për tërë vendbanimet e komunës së Likovës, e njoftova ambasadorin për padrejtësinë shekullore që i është bërë banorëve të komunës tonë rreth çështjes së ujit për pije, ne si komunë kemi arritur shumë punë të kryejmë në këtë drejtim por për të përfunduar këtë projekt kapital na duhen edhe një shumë mjetesh financiare të cilën si komunë nuk mund ta sigurojmë nga buxheti vetanak, kështu në bashkëpunim me ambasadat e huaja në vend, me pushtetin qendrorë, në bashkëpunim me fondacione të ndryshme evropiane, do të mundohemi bashkërisht ta zgjidhim këtë problem.”,- kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Ndryshe kjo ishte vizita e parë e ambasadorit francez, Siril Bomgartner, që ia bëri komunës së Likovës.