20/11/2024
Ballina Lajme Rajon Ambasadori i SHBA, Serbisë: Kjo nuk është ‘nëna Rusi’

Ambasadori i SHBA, Serbisë: Kjo nuk është ‘nëna Rusi’

Marketing

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha se e kupton se Serbia ka një histori të gjatë dhe të vështirë me sanksionet dhe se SHBA-ja ka mirëkuptim për këtë. Por, sipas tij, Serbia duhet ta shqyrtojë mirë se ku i ka interesat e saj kombëtare, duke shtuar se është i bindur se herët apo vonë, Serbia do ta kuptojë se është me Perëndimin.

 

“Do ta paralajmëroja Serbinë që ta kuptojë se kjo nuk është ‘nëna Rusi’, ne po përballemi me një Rusi tjetër”, tha Hill gjatë një interviste për Radiotelevizionin publik të Serbisë.

 

Hill tha se e di që kjo është e vështirë dhe se Serbia me dekada ka marrëdhënie të mira me Rusinë. Por, ka shtuar ai, tani bëhet fjalë për një Rusi krejt ndryshe, “një Rusi që sulmon brutalisht fqinjët e saj”. Serbia duhet të deklarohet për këtë, tha Hill.

 

Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

 

“Nëse e shikoni Evropën, vetëm pak shtete, më duket vetëm Bjellorusia dhe Serbia nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pyetja është nëse Serbia dëshiron të qëndrojë në këtë grup. Shumë shtete kanë vendosur sanksione dhe ata po kanë pasoja nga kjo. Pyetja është nëse sanksionet mund të kenë ndikim në sjelljen e Rusisë, por ata gjithsesi i vendosën sanksionet sepse e kuptojnë se duhet të jenë të bashkuar dhe të kundërshtojnë atë që po bën Rusia”, tha Hill.

 

Hill tha se nuk mendon se dikush po e kërcënon Serbinë për këtë çështje, por shtoi se shtetet e tjera po i kërkojnë Serbisë që të marrë qëndrim.

 

Duke folur për mundësinë që SHBA-ja ta ndihmojë Serbinë në rast se preket nga vendosja eventuale e sanksioneve ndaj Rusisë, ambasadori amerikan tha se shteti i tij po punon që të sigurohet që Serbia të ketë një sërë furnizuesish të energjisë. Ai shtoi se kjo është në interes të të dyja palëve.

 

“Duam të punojmë me Serbinë për këtë çështje, kompanitë amerikane janë shumë të interesuara që Serbia të gjejnë furnizues shtesë të energjisë, në mënyrë që të mos jetojë nën shantazhet e Rusisë”, tha Hill.

 

Duke iu referuar çështjes së Kosovës, Hill tha se ai e kupton që ajo është e madhe për popullin e Serbisë, por bëri thirrje që të vihen re dallimet midis situatës në Kosovë dhe situatës aktuale në Ukrainë.

 

Rusia, tha ai, ka nënshkruar memorandumin e Budapestit në maj të vitit 1994, ku në mënyrë eksplicite është pajtuar të respektojë integritetin territorial të fqinjëve të saj, dhe sipas tij, tani po shkel këtë pikë, teksa kërkoi nga populli serb që të ndjekë atë që po ndodh sot në Ukrainë.

 

“E kuptoj se kjo është çështje e madhe për popullin e Serbisë. Por, gjithashtu i bëj thirrje atij që ta kuptojë dallimin e madh midis asaj çështjeje të vështirë dhe situatës, në të cilën kemi një fuqi të madhe që po sillet ndryshe dhe po tenton që të marrë diçka që i përket fqinjit të saj. Dhe kjo është një situatë shumë e ndryshme”, tha Hill.

 

Rusia është nën sanksione perëndimore pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt./rel