Ambasadori i Serbisë në Gjermani duke folur për krijimin e ushtrisë së Kosovës në intervistë për Deutsche Welle-News u shpreh kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës. Por pse Serbia ka frikë nga ushtria e Kosovës, dhe nuk e ka këtë nga Forca e Sigurisë së Kosovës që ndërkohë ekziston?
Dušan Crnogorčević, ambasadori i Serbisë në Gjermani tha se „problemi është se i ashtuquajturi Parlamenti i Kosovës promovoi një sërë ligjesh duke e transferuar Forcën e Sigurisë të armatosur lehtë në një ushtri të Kosovës, gjë që është drejtpërdrejt e ndaluar nga Rezoluta për Kosovën 1244. Dallimi praktik është se ushtria është diçka tjetër nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Ushtria ka nevojë për një lloj tjetër armatimi, përfshirë edhe armatimin e rëndë që nuk e kanë Forcat e Sigurisë së Kosovës.“
Crnogorčević: Kosova investon në ushtri, në vend që të investohen para për rrugë, shkolla
Sipas ambasadorit serb, Dušan Crnogorčević „është shumë e rëndësishme të përmendet dhe të theksohet se ky hap është absolutisht kundër Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, që thotë qartë, se forca e vetme ushtarake në Kosovë është KFOR-i. „Kjo e frikëson Serbinë, sepse në jemi duke kërkuar një lloj kompromisi, të kemi dialog për të zgjidhur problemet që ekzistojnë mes Beogradit dhe Prishtinës, e në vend që të investojnë në paqe dhe stabilitet, siguri dhe prosperitetin e të gjitha rajonit, …fillohet të bëhet diçka që është plotësisht ilegale duke ngritur edhe doganat në 100%“, tha Dušan Crnogorčević për DW-News.
Ambasadori serb e kritikoi Kosovën, se nuk po investon kohë dhe energji për kompromisin. Kosova po investon në ushtri, në vend që të investohen para për rrugë, shkolla, universitete, tha ai. Ambasadori i Serbisë në Berlin, e sheh arsyen e vendimit të Kosovës të marrë në këtë moment si një mënyrë për t’i ikur plotësimit angazhimeve që Kosova mori me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013./DW