



Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, ka theksuar se Turqia do të ndjekë personat e lidhur me organizatën terroriste FETO dhe të gjitha dosjet të cilat u janë përcjellë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Ambasadori Sekizkök në rezidencën e ambasadës në Shkup organizoi një konferencë për media me rastin e 15 korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, ku gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Sekizkök theksoi se strukturat e FETO-s janë duke vazhduar praninë e tyre në Maqedoninë e Veriut, nën petkun e identiteteve si institucion arsimor dhe kompani tregtare.
Hasan Mehmet Sekizkök, ambasador
“Ne ua përcjellim kërkesat tona autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në çdo rast për të mos lejuar strukturat e FETO-s dhe për të deportuar individë të saj. Përfundimi i aktiviteteve të strukturave të FETO-s në Maqedoninë e Veriut dhe deportimi i personave të lidhur me FETO-n do të jenë hapa konkrete në drejtim të bashkëpunimit tonë bilateral në luftën tonë kundër terrorizmit. Me këtë rast dua të përsëris pritjet tona në këtë drejtim. Përpjekjet tona për të përmbysur strukturimin e FETO-s jashtë vendit do të vazhdojnë me vendosmëri”




Sekizkök tha se dosjet me kërkesë për dëbim dhe ekstradim që u jepen autoriteteve maqedoanse janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Hasan Mehmet Sekizkök, ambasador
“Tani kemi kërkesa për dëbim për 86 persona, dëbimin e tyre nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 20 prej tyre janë për ekstradim. Të gjithë këto dosje u janë përcjellur autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Por deri më sot nuk është hedhur asnjë hap nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, as në lidhje me kërkesat tona për dëbim e as për ekstradim”.
Ambasadori turk ka deklaruarse marrëdhëniet Turqi-Maqedoni e Veriut qëndrojnë mbi themelet e shumë të forta dhe se nuk janë të lidhura në fatin e një dosje të vetme. Megjithatë, ka theksuar se Turqia do të ndjekë personat e lidhur me organizatën terroriste FETO, si dhe do të ndjekë të gjitha dosjet të cilat u janë përcjellë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut deri sa të arrihet rezultati i pritur.