Ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoni të Veriut, Kejt Meri Bërns nuk do të vetëizolohet edhe pse paraprakisht kishte qenë në ngjarje të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendëskryeministrin Bujar Osmani të cilët kanë pasur kontakt me kryetarin e infektuar me Kovid-19 të Kumanovës, Maksim Dimitrievskin.
Ambasadorja Bërns tash për tash do ta zbatojë rregullin “kontakt me një kontakt”, ndërkaq do të karantinohet vetëm në rast se Filipçe dhe Osmani rezultojnë pozitiv.
“Departamenti i Shtetit, Byroja për Shërbime Mjekësore, sipas udhëzimeve të Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve si dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, këshillon që ambasadori dhe çdo diplomat i SHBA-ve në këtë ngjarje do të konsiderohet si “kontakt me një kontakt” dhe nuk kanë nevojë të karantinohen. Ata të gjithë duhet të monitorojnë simptomat dhe të procedojnë si zakonisht. Për më tepër, nëse zëvendëskryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë rezultojnë pozitiv, do të duhej të karantinohej çdokush që ka qenë në kontakt të afërt me ta (më pak se 2 metra dhe më shumë se 10 minuta) brenda 48 orëve që kur zv/Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë të shfaqin simptome”, njoftuan për TV 21 nga Ambasada.
Përndryshe, Osmani dhe Filipçe tashmë janë në vetëizolim dhe sipas paralajmërimeve testimin do ta realizojnë ditën e martë.