American Airlines kërkon 12 miliardë dollarë ndihmë nga shteti

Kompania amerikane, American Airlines ka konfirmuar se do të kërkojë mbështetje financiare nga Qeveria amerikane në vlerë të 12 miliardë dollarëve, për shkak të ndikimit të koronavirusit.

Marketing

Punëtorëve u është thënë përmes emailit se “kjo gjë do të na lejonte të realizojmë fluturime edhe në skenarët më të këqinj të mundshëm në të ardhmen”.

Aty është thënë edhe se kjo kërkesë nënkupton se “nuk do të ketë shkurtime apo zvogëlime të pagave dhe përfitimeve tjera për gjashtë muajt e ardhshëm”.

Stafit të kësaj kompanie po ashtu do t’i mundësohet “pushimi vullnetar apo mundësitë për pensionim të parakohshëm”.

Sipas të dhënave të Bloomberg, kjo kompani vitin e kaluar ka fitur 2.9 miliardë dollarë, derisa aksionarëve u ka kthyer 1.3 miliard dollarë përmes dividentave.

Në kuadër të projektligjit të miratuar nga Kongresi amerikan javën e kaluar për ndarjen e 2.2 trilionë dollarëve pas situatës së krijuar me koronavirus, 50 miliardë dollarë janë ndarë për kompanitë ajrore, ndonëse gjysma janë planifikuar si grante.

Kompanitë ajrore në gjithë botën kanë ndalur shumicën e fluturimeve prej muajit shkurt, në kuadër të përpjekjeve për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 163,000 raste të konfirmuara dhe 3,000 të vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Nju Jorku është prekur më së keqi nga kjo sëmundje me 914 viktima, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Javën e kaluar SHBA-ja është kthyer në vendin me më së shumti të infektuar duke kaluar edhe Italinë dhe Kinën.