“Amnistia” e VMRO-së nuk mori votat e nevojshme në Kuvend (VIDEO)

Shumica parlamentare refuzoi propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së për amnistinë e 27 prillit. Ata kërkuan nga opozita që të mos humb kohë dhe të përfshihet në procesin e pajtimit, duke bërë dallimin mes kryerësve të dhunës dhe porositësve të saj.

Marketing

Duhet të bëhet dallimi mes atyre që kanë porositur dhunën, atyre që kanë kryer dhunë dhe atyre që kanë qenë në eufori. Përgjegjësi për dhunën e 27 prillit patjetër të ketë. Nuk guxon dhe nuk do të ketë amnisti për ata që kanë planifikuar, porositur dhe kryer dhunë më 27 prill – tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.


Përmes propozimit, opozita kërkonte amnisti për të gjithë të dënuarit, akuzuarit dhe dyshuarit për zhvillimet e përgjakshme në Kuvend.

Ky ligj parashikon pajtim kombëtarë të vërtetë për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ngjarjeve të 27 prillit dhe jo drejtësi selektive ashtu siç po pretendon kryeministri Zaev dhe shumica parlamentare përmes të ashtuquajturit trupit për pajtim – u shpreh Nevenka Stamenkovska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Përkundër propozimit të VMRO-DPMNE-së, shumica parlamentare, opozita shqiptare dhe deputetët e përjashtuar nga VMRO-ja kanë përgatitur draft-ligjin për pajtim dhe integrim. Për dallim nga propozimi për amnisti, drafti për pajtim dhe integrim parashikon që për zhvillimet e përgjakshme në Kuvend të falen personat të cilët nuk kanë kryer vepra penale, ndërsa të dënuarit dhe ata të cilët kanë pranuar fajin të mos përfshihen nga ky ligj. Ai parashikon edhe mbështetjen e proceseve integruese dhe ndryshimeve kushtetuese si dhe mbështetjen e pakos së ligjeve reformuese si Këshilli gjyqësor, Ligji për mediat etj. Ndërkohë procesi pajtimit ka ngecur në qorrsokak. Pas arrestimit të ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, grupi i deputetëve të përjashtuar nga VMRO-ja pretendon se procesi i pajtimit është në rrezik. Acarimet mes trupit të sapoformuar bën që dy herë me radhë të shtyhet mbledhja e paraparë për miratimin e draft-ligjit për pajtim dhe integrim. Në rast se kalohen dallimet, mbledhja do të mbahet të ditën e mërkure. Në vigjilje të një vjetorit të arrestimeve për 27 prillin, VMRO-DPMNE-ja do të protestojë para Qeverisë të mërkurën.

Marketing