Në kuadër të idesë së kryeministrit Zoran Zaev për “Pajtim”, Zhurnal mëson se pritet që të hartohet një ligj për amnisti në të cilin përveç të akuzarve të ngjarjeve të “27 prillit” do të përfshihen dhe të dënuarit në “Rastin e Kumanovës” dhe Rasin “Monstra”.
Siç mëson Zhurnal, kjo ide e cila fillimisht është ngritur nga analistë ka hasur në mbështetje edhe te partitë shqiptare të koalicionit qeveritar.
Analisti Ismail Arsllani thotë se meqë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë do të duhet të votojnë ligjin për amnisti, që është në përgatitje e sipër, është detyrë e tyre, si përfaqësues të popullit, të kërkojnë inkorporimin e “rastit të Kumanovës” dhe të “Monstrës” në këtë ligj.
“Kjo gjë që, ndoshta, mund të jetë edhe në kolizion me “kodin juridik”, për shkak se aty janë njerëz vërtet të pafajshëm, ndërsa amnistia u jepet atyre, ndaj të cilëve është vërtetuar fajësia faktike. Sido që të jetë, një ligj për amnistinë e shqiptarëve të pafajshëm, që dergjen nëpër burgje, jo vetëm të këtyre dy rasteve, por edhe shumë të tjerave, do të ishte një gjest i mirë human e juridik, për të korrigjuar sado pak veprimet e gjyqësisë së viteve të kaluara, e cila u vlerësua si e “kapur” nga ish-pushteti”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thekson se deklarata e par e kryeministrit Zoran Zaev për pajtim interetnik dhe ndëretnik në Maqedoni shkaktoi huti në opinion, mëqense ajo deklaratë nënkuptonte një lloj amnistie vetëm për deputetet e shkëputur nga VMRO-DPMNE, që pas kryeministri të orvatet të terhiqet duke thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejoj ndërhyrje në pushtetin gjyqesorë.
“Por realisht të gjithë e kanë kuptuar se votat për ndryshimet Kushtetuese ishin shumë të nevojshme dhe se ka pazar politik në këtë rast. Pra “pajtimi” do të ndodhe në mënyrë që do të kuptohet lehtë, pra pajtim politik vetëm për disa dhe do ngelin njolla të zeza. Mëqense “pajtimi” bëhet vetëm për rastin e 27 prillit, kjo nënkupton se është nevojë e qeverisë vetëm për ndryshimet Kushtetuese”, deklaroi për Zhurnal, ish-deputeti, Zudi Xhelili.
Sipas tij, po të dëshirojë qeveria “pajtim” të mirëfilltë atëherë duhet të amnestohen edhe rastet e inskenuara më parë nga shërbimet shtetërore siç janë “Rasti Kumanovës”, “Monstra” dhe raste tjera të montuara ku shumë shqiptarë të pafajshëm ishin dhe janë viktimë.