ANALISTËT: Ligjin e shqipes do ta “bekojë” presidenti i ardhshëm

Çështja e zyrtarizimit të Gjyhës Shqipe, gjegjësisht Ligjit për gjuhët ka mbetur pezull pasi që ai nuk dekretohet nga Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov dhe po i njëjti nuk shpallet as në “Gazetën Zyrtare” nga ana e Kuvendit me nënshkrimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, shkruan Zhurnal.

Marketing

Ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se Ligji për gjuhën shqipe do të deklretohet nga presidenti i ardheshëm i Republikës së Maqedonisë, pasi që sipas tij kryeparlamentari nuk ka guxim që ligjin ta shpalle në “Gazetën Zyrtare”.

“Ashtu siç është edhe i informuar opinioni në Maqedoni, që nga leximi i dytë në Kuvend ligji për gjuhët nuk u dekretua nga kryetari i shtetit Gjorge Ivanov. Ai me këtë rast bënë shkelje të Kushtetutes dhe ndoshta edhe do të përgjigjet për këtë. Sa i përket shpalljes në gazetën zyrtare nga ana e Kuvendit, ishte si mundësi e dytë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, por në këtë drejtim kryeparlamentari u deklarua se nuk është punë e tij. Sipas gjitha gjasave kjo çështje në një moment do të shfrytëzohet përsëri për përfitime politike, ndërsa do të zyrtarizohet nga presidenti i ardhshëm”, thotë për Zhurnal, Zudi Xhelili, ish-deputet.

Nga ana tjetër, Urim Saliu thekson se përpara se të dëgjojmë përplasje të përditshme për Ligjin e gjuhëve duhet më parë të ndodhë ajo që është më thelbësore në këtë rast.

“Ligji i Gjuhës shqipe të shpallet në gazetën zyrtare një ditë e më herët. Po t’i krahasojmë datat kur ky ligj u votua me 69 vota Pro nga partitë shqiptare dhe LSDM pra që në janar të 2018-tes , po bëhet gati një vit që gjërat po ndodhin sic i themi në vendnumëro. Ta bëjmë njëherë e përgjithmonë një gjë deri në fund dhe Ligji i Gjuhës shqipe një ditë e më herët të shpallet në gazetën zyrtare. Se si do bëhet kjo, ne i kemi protagonistët e politikës të cilët nuk duhet ti lënë shteg një afati që zvarritet dhe të luajnë edhe me durimin qytetarë sepse pikërisht qytetarët janë lodhur nga përplasjet e partive që shfrytëzojnë cdo gjë për pikë politike”, thekson për Zhurnal, urim Saliu, analist.

Sipas tij, ligji për përdorimin e gjuhëve tashmë i miratuar në Kuvendin e Maqedonise parashikon avancimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni por ai akoma nuk po shpallet në gazetën zyrtare dhe dikush duhet të sqarojë pikë për pikë për këtë cështje shumë të rëndësishme.

/Zhurnal/

Marketing