Analisti amerikan: Kurti dhe Vuçiç përfitojnë të dy nga kriza në veri!

Do të ishte një befasi e këndshme nëse do të shënohej ndonjë përparim në takimin e Brukselit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit, thotë eksperti amerikan Edward Joseph, i cili megjithatë shprehet skeptik se kjo do të ndodhë vërtet.

Marketing

Joseph është i mendimit se Bashkimi Europian, si ndërmjetësues i dialogut, duhet të marrë një qasje më të vendosur e t’i kujtojë të dyja vendeve se kanë një marrëveshje për të zbatuar. Për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, ai insiston që të gjitha palët duhet t’i luajnë rolet e veta. Për në këndvështrimin e Joseph, kjo krizë po i vjen për shtat si presidentit të Serbisë, ashtu edhe kryeministrit të Kosovës.

“Vuçiç përfiton nga gjithçka që e pengon atë të zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.. Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit të situatës në veri, dhe jo te çështja e Asociacionit”, tha Edward Joseph.

Sipas analistit, Vuçiç nuk është partner i SHBA-së, por edhe Kurti “ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i papërgjegjshëm në qasjen e tij ndaj veriut” dhe “kjo nuk është në përputhje me të qenët një partner i mirë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin”. Është e rëndësishme, nënvizon ai, që BE-ja të reshtë së foluri e të kalojë në veprim, sepse e ka një marrëveshje të cilën Brukseli e ka ofruar dhe që është arritur në shkurt, e ka po kështu edhe një aneks, kujton Joseph, që i adreson të gjitha çështjet e zbatimit të saj, për të cilën u ra dakord në Ohër.