Anëtarësimi në NATO, Shkupi e Athina do të këmbejnë notat verbale

Pasi Greqia ratifikoi Protokollin për anëtarësim e Maqedonisë në NATO, dy vendet fqinje fillojnë edhe procedurat që vendi, të bëhet anëtare e plotë e Aleancës Veri-Atlantike. Fillimisht, Greqia dhe Maqedonia, do të këmbejnë notat verbale, e më pas notë verbale të përbashkët do të dërgojnë në OKB-në. Në vendin tonë, në Gazetën Zyrtare do të publikohet se ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi dhe prej atij momenti fillon edhe zbatimi i tyre. Pasi publikimit në Gazetën Zyrtare, vendi edhe zyrtarisht do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të njoftojë edhe vendet e OKB-së dhe organizatat tjera ndërkombëtare se emri i ri mund të hyjë në përdorim. Nga qeveria thonë se të gjitha këto procedura do të bëhet më së voni deri të martën. Ratifikimi i protokollit në Greqi, përplasi sërish pushtetin dhe opozitën greke. Kreu i opozitës Kiriakos Micotakis, në fjalimin e tij, sërish u fokusua tek gjuha dhe identiteti maqedonas.

Marketing

“Unë kurrë nuk do të them mirëserdhe për kryeministër të një vendi Maqedonas. Pres që ju ta thoni këtë z. Cipras. Dhe pres që z. Apostolakis ti dëshirojë mirëseardhje në Greqi ushtrisë maqedonase kur do të ketë ushtrime të përbashkëta me ushtrinë greke. Këtë e keni nënshkruar” – tha Kiriakos Micotakis nga DR.

Micotakis, përsëriti qëndrimin e tij për të drejtën e vetos për integrimin e Maqedonisë në BE. Ndërsa kryeministri Cipras iu kundërpërgjigj me pyetjen nëse Demokracia e Re e mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Me të vërtet ju mendoni se vendi duhet të ketë për qëllim që ta pengojë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të vendeve tjera fqinje. Ndoshta vendi ka interes nga ndikimi i forcave të treta tek fqinjët tonë me aspirata të tjera në rajonin e Ballkanit”, pohoi Alexis Cipras, kryeministër i Greqisë.

Edhe pas kundërshtimit të vazhdueshëm të opozitës greke për Marrëveshjen e Prespës, edhe protokolli për anëtarësim në NATO, mori mbështetje absolute prej 153 deputetë.

Pasi Kuvendi grek i pari ratifikoi Protokollin, kryeministrat e dy vendeve reaguan në rrjetet sociale. Kryeministri Cipras shkroi se Greqia përmbylli obligimet e saj nga Marrëveshja e Prespës, ndërsa tani Maqedonia duhet të njoftojë OKB-në se quhet “Maqedonia e Veriut”. Ndërsa kryeministri Zoran Zaev, ka shkruar: Shkojmë drejtë suksesit të garantuar. Është më lehtë me aleatë, me krenari tregojmë se ne jemi NATO.

Tani do të pasojë ratifikimi i Protokollit edhe në 28 vendet e tjera anëtare të Aleancës. E para që njoftoi ratifikimin ishte Sllovenia dhe më pas edhe Sllovakia, përfaqësuesit e të cilëve thanë se javën e ardhshme në Parlamentet e tyre do të ratifikohet protokolli. /Alsat/