Angelov: Me ligj të dëmshpërblehen familjet e “branitellave”?!

Kryetari i Partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angelov, në Kuvend ka dorëzuar Propozimligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit ekzistues për “branitellat”, ku duhet të sigurohet dëmshpërblimi I 15 familjeve të “branitellave” që kanë humbur jetën në vitin 2001 si dhe të invalidëve të luftës, përcjell KlanM.

Marketing

Me këtë ligj kërkojnë që familjarët të dëmshpërblehen me nga 70 mijë euro.

“Një pjesë e familjarëve të “branitellave” që humbën jetën si dhe dhjetëra invalid të luftës kanë mbetur pa u dëmshpërblyer. Të shfrytëzohet formula që është zbatuar nga ana e Qeevrisë së Nikola Gruevskit gjatë ngjarjeve në ‘Lagjen e Trimave”. Kërkojmë që sa më shumë deputetë ta nënshkruajnë propozimligjin tonë. Pres mbështetje edhe nga VMRO-DPMNE-ja”, tha Stojançe Angelov.

Nuk vonoi shumë, mbështetje mbërriti nga VMRO-DPMNE-ja.

“Si parti politike absolutisht mbështesim nismën që sot është dorëzuar në Kuvend nga partia “Dinjiteti”. Do ta shqyrtojmë nismën dhe do ta mbështesim. U bëj thirrje edhe partive tjera që të kyçen për të ulur golgotën 20-vjecare të familjeve të “branitellave”, tha Dragan Kovaçki.

Sipas Angelovit, problemi për këtë nismë qëndron tek BDI-ja e cila nuk jep mbështetje. Angelovi potencoi se gjatë një takimi të partive të koalicionit, lideri I BDI-së Ali Ahmeti ka paralajmëruar se do të gjendet zgjidhje.

Angelovi paralajmëroi se nëse nisma hidhet poshtë, partia “Dinjiteti” do ta braktis koalicionin qeveritar./KlanMacedonia

Marketing