Anija gjigante me ndihma niset drejt Gaza’s

Tri anije janë larguar nga një port në Qipro me 400 tonë ushqime dhe furnizime të tjera për Gazën, përderisa po rriten shqetësimet për nivelin e urisë në territorin palestinez.

World Central Kitchen tha se anijet po bartin oriz, pasta, miell, perime të konservuara dhe proteina, nga të cilat mund të përgatiten mbi 1 milion vakte ushqimore. Po ashtu, në dërgesa ka edhe hurma, që tradicionalisht konsumohen për iftar gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Marketing

Më herët gjatë këtij muaji, anija e Open Arms ishte e para që kaloi përmes kësaj rruge detare drejt Gazës, ku dërgoi mbi 200 tonë ushqime, ujë dhe ndihmë tjetër.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji. Zyrtarët humanitarë kanë thënë se dërgesat nga deti dhe ajri nuk janë të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë që më shumë ndihmë të hyjë përmes rrugëve tokësore.

Një familje palestineze duke bërë iftar gjatë Ramazanit jashtë shtëpisë së tyre të rrënuar nga lufta, Gazë, mars 2024.

Një gjykatë e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të hapë më shumë pikëkalime tokësore dhe të ndërmarrë masa për të adresuar krizën humanitare.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 32.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës. Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës./REL