Ankaraja kërkon gylenistët, Shkupi shqyrton dosjet e shtetasve turq

Autoritetet maqedonase kanë nisur shqyrtimin e dosjeve të shtetasve turq në Maqedoninë e Veriut, ekstradimin e të cilëve e ka kërkuar Ankaraja zyrtare.

Marketing

Pretendimet e qeverisë turke janë se, personat në fjalë dyshohen për lidhje me organizatën e ashtuquajtur “FETO”.
Këtë e konfirmuan për “Radion Europa e Lirë” zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.

“Për momentin kemi 15 kërkesa ekstradimi. Të gjitha këto procedura kanë nisur tashmë, e për to, institucionet përkatëse janë në komunikim të vazhdueshëm”, pohojnë të njëjtat burime.

Nuk jepen detaje mbi identitetin e personave, të cilët Turqia kërkon që të ekstradohen, thjesht theksohet se asnjëri prej tyre nuk është shtetas maqedonas.

Ambasada e Turqisë në Shkup, ndërkohë, theksoi se në mesin e tyre ka edhe drejtues të institucioneve arsimore, përfaqësues të medieve në gjuhën turke, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut.
Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se, sistemi i drejtësisë në vend duhet të jetë transparent për këtë proces, duke respektuar normat juridike ndërkombëtare dhe jo dëshirat e elitave politike të një shteti.