Ankesat e subjekteve politike, Sejdini: Kemi marrë masat në përputhje me ligjin

Gjithsej 28 gjykatës të shpërndarë në 5 këshilla do të jenë të angazhuar në shqyrtimin e ankesave për parregullsi zgjedhore. Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, thotë se janë ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që e gjithë procedura të zhvillohet në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhorë dhe gjithçka të përfundojë në afat prej 60 orësh. Ai beson se numri i madh i ankesave të paralajmëruara nuk do të shërbejë për të bllokuar punën e gjykatës.

Marketing

“Gjykata Administrative ka marrë të gjitha masat e nevojshme që të mos vijë deri te një situatë e tillë që gjykata të mos mund të sjell vendimet në kohën e paraparë me Kodin Zgjedhorë, mirëpo shpresojmë dhe jemi të bindur se është një moment shumë specifik i mbajtjes së seancës publike dhe mundësisë së dorëzuesit të padisë që të marrë fjalën dhe shpresojmë se nuk do të vijë deri te keqpërdorimi i asaj situate me qëllim që të mos mund të sillen vendime në kohë.”,- tha kryetari i Gj. Administrative, Burim Sejdini.

Sejdini shtoi se Gjykata ka dëshmuar kapacitet të mjaftueshëm prandaj thotë se besimi në këtë institucion duhet të jetë përkatës. Ndryshe nga momenti që subjektet politike do t’i marrin vendimet nga KShZ  kanë afat prej 48 orë që të parashtrojnë ankesë deri te Gjykata Administrative teksa kjo e fundit në afat prej 60 orësh duhet të vendosë mbi ankesat e parashtruesve.