Anketa e CPRC: Arben Taravari dukshëm në epërsi para Bujar Osmanit

Arben Taravari është dukshëm në epërsi karshi kandidatit të BDI-së Bujar Osmani në garën për president të shtetit. Këtë e tregon anketa e bërë nga Qendra për Kërkime dhe Komunikim Politik (CRCP) në bashkëpunim me Shoqatën për Gazetari, Informim, Komunikim dhe Shërbime Marketingu “Zëri i së Vërtetës”
Sipas anketës, kandidati i VLEN-it, Arben Taravari ka rejting prej 7.3%, ndërsa Bujar Osmani i BDI-së, vetëm 4.9%.
Në kampin politik maqedonas vlen të ceket se kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska ka epërsi prej 18.2%, ndërkaq Stevo Pendarovski i LSDM-së, 15%.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, në kampin politik shqiptar, anketa tregon se koalicioni VLEN udhëheq karshi BDI-së.
6.9% e të anketuarve janë deklaruar për koalicionin opozitar shqiptar “VLEN”, ndërsa 5,9% janë deklaruar për BDI-në së bashku me frontin evropian (ASH krahu i Ziadin Selës, PDSH, PDE e Arjanit Hoxhës, Populli e Zejdit).
VMRO-DPMNE sipas anketës ka rejting prej 20% ndërsa dukshëm prapa është LSDM me 12.2% rejting.
Anketa është realizuar me telefon në periudhën 4-7 mars 2024 me 1085 të anketuar të përzgjedhur sipas metodës së rastësishme.
Hulumtimi është realizuar në nivel të gjithë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është vëzhguar përbërja etnike, numri i votuesve, gjinia, mosha, aftësimi profesional, niveli i arsimimit dhe shpërndarja gjeografike. Marzhi i gabimit +-3,0%. Rezultatet e anketës së kryer, së bashku me përpunimin e të dhënave, janë paraqitur më poshtë në një paraqitje grafike
I njëjti sondazh është i disponueshëm edhe në platformën online të Qendrës për Kërkime Politike dhe Komunikime. www.crpc.mk

Marketing