Anketa: Thellohet opinioni negativ i amerikanëve për shtypin

Një studim i fundit tregon se mosbesimi i publikut ndaj medias është më i thellë se ndasitë partiake dhe lidhet drepërdrejt me formulimin e misionit të gazetarisë.

Përfundimet e studimit mund të përmblidhen me këtë frazë: Amerikanët nuk duan që media të luajë thjesht rolin e zbuluesit të problemeve.

Marketing

Studimi i publikuar të mërkurën nga Projekti për Analiza të Medias sugjeron mënyra që mund të përdorin gazetarët për të përcjellë mesazhin tek grupe që kanë humbur besimin apo interesimin.

Image

“Studimi tregon deri diku se puna jonë si gazetarë është më tepër se sa ç’e kemi përkufizuar më parë,” tha Tom Rosenstiel, drejtor ekzekutiv i Institutit Amerikan për Shtypin.

Studimi identifikon pesë parime apo bindje që motivojnë pjesën më të madhe të gazetarëve: të mbikqyrin punën dhe aktivitetin e zyrtarëve dhe individëve të fuqishëm; të fuqizojë zërat e atyre që janë lënë në harresë; shoqëria operon më mirë kur informacioni shkëmbehet haptazi; sa më shumë fakte t’u ofrohen njerëzve, aq më pranë të vërtetës do të jenë ata; problemet duhen nxjerrë në pah në mënyrë që të gjejnë zgjidhje.

Por anketa, e cila u parashtroi individëve që nuk punojnë në media një seri pyetjesh për të matur mbështetjen për këto ide, zbuloi se shumica e të anketuarve mbështesin vetëm një ndër këto ide. 2/3 e të anketuarve mbështesin misionin e medias për zbulimin e fakteve.

Gjysma e të anketuarve mbështesin parimin se ka rëndësi që media t’u ofrojë hapësirë atyre që janë të margjinalizuar, ndërsa më pak se gjysma mbështesin rolin e medias si mbikqyrëse dhe mundësuese e transparencës.

Më pak se 1/3 e të anketuarve mbështesin plotësisht iddenë se media duhet të punojë me ngulm për të nxjerrë në pah problemet. Vetëm 11% e pjesëmarrësve, pjesa më e madhe liberalë, shprehën mbështetje për të gjitha idetë.

“Po, besoj se gazetarët duhet të mbikqyrin punën e qeveritarëve, por nuk mendoj se duhet të mbajnë anë,” tha 41-vjeçarja Annabell Hawkins, një shtëpiake nga Luoton e shtetit Oklahoma. “Kur isha e vogël i ndiqja lajmet, më dukeshin neutrale. Por nuk më duken më ashtu”.

Zonja Hawkins tha se beson që media u përqëndrua së tepërmi në kritikat në adresë të ish-Presidentit Trump dhe rrallë herë përmendi merita për gjëra pozitive që bëri ai gjatë mandatit.

“Dua thjesht faktet që të krijoj vetë bindjet e mia,” thotë 64-vjeçari Patrick Gideons, ish-menaxher në sektorin e naftës, i cili jeton pranë qytetit Hjuston të Teksasit. Ai nuk ushqen besim tek media sepse thotë se ajo është e ngarkuar me opinione.

Zoti Gideons thotë se pjesën më të madhe të lajmeve i merr nga media sociale dhe shton se njeh vetëm një person që ende ka abonim në gazetë: babai i tij 91-vjeçar.

Anketat tregojnë se opinioni i publikut për median është bërë më negativ gjatë 50 vjetëve të fundit dhe se gjatë 2021 është bërë shumë partiak. Në vitin 2000, një anketë e organizatës Gallup zbuloi se 53% e demokratëve thonin se kishin besim tek media krahasuar me 47% të të anketuarve republikanë. Gjatë vitit të fundit të mandatit të Presidentit Trump, Gallupi zbuloi se demokratët shprehnin besim në masën 73%, ndërsa ndër republikanët besimi tek media kishte rënë në 10%.

Rezultatet e anketës identifikojnë edhe mënyra për të luftuar këto pikëpamje negative për median.

Gjysmë shekulli më parë, kur gazetat gëzonin popullaritet të madh, para lindjes së televizionit kabllor apo internetit, të cilat çuan në shtimin e madh të artikujve apo emisioneve-opinion, pikëpamjet e publikut për rolin e gazetarëve ishin më të afërta me rolin që shihnin vetë gazetarët për median, thotë zoti Rosenstiel.

Studimi tregon se konsumatorët e medias janë të interesuar për lajme që ofrojnë zgjidhje të mundshme për problemet dhe duan të dëgjojnë më shumë lajme për gjëra që po ecin mirë.

“Ne kemi krijuar tendencën t’i shohim si artikuj të dorës së dytë ato mbulime që hedhin dritë mbi gjëra që funksionojnë mirë. Por ato mund të jenë më të rëndësishme se ç’mendojmë ne, pasi na ofrojnë një imazh më të plotë për botën”.

Ata që vlerësojnë më shumë besnikërinë dhe autoritetin janë shpesh më skeptikë ndaj vlerave që theksojnë gazetarët, ndryshe nga ata që vlerësojnë analizën e paanshme, tregon studimi. Prandaj mënyra si prezantohen faktet e materialit mund të ndikojë tek tërheqja e një audience më të gjerë.

Në një shembull, studiuesit u përqëndruan tek një artikull për një projekt të anuluar që synonte të krijonte një qendër argëtimi në një lagje të varfër. Në ndryshimin që bënë, studiuesit e vunë theksin tek një fakt që nuk ishte shumë i dukshëm në materialin origjinal, i cili tregonte se fondet për qendrën e argëtimit ishin kaluar në një projekt tjetër nga drejtori i seksionit të parqeve. Si rezultat, materiali u bë interesant për një audiencë më të gjerë, përfshirë ata që vlerësojnë autoritetin.

Studimi zbuloi se shumica e amerikanëve besojnë që media nuk do t’ia dijë për ta dhe përpiqet të mbulojë gabimet e saj. Por zoti Rosenstiel thotë se megjithë shtimin e pikëpamjeve negative, të dyja palët mund të bëjnë më shumë për të kuptuar më mirë njëra-tjetrën.

Image

Mund të jetë e vështirë për t’u besuar nga disa, por gazetarët janë goxha të sinqertë, thotë zoti Rosenstiel, ish-reporter për gazetën Los Angeles Times dhe revistën Newsweek.

“Njeriu i zakonshëm duhet ta ketë të qartë se kur gazetarët thonë se po bëjnë detyrën, e kanë seriozisht, pasi ata kanë në mendje një përkufizim të caktuar për punën që bëjnë. Ata nuk e mendojnë veten si agjentë sekretë të Partisë Demokrate. Ata kanë një bosht vlerash dhe mendojnë se udhëhiqen prej tyre në punën që bëjnë”./VOA