360 shtetas të vendit, të cilët janë kthyer me fluturime të organizuara nga Vjena dhe Bazeli, janë strehuar në karantinë shtetërore në Strugë, Kodër të Diellit, Mavrovë dhe Strumicë, ku do të qëndrojnë 14 ditë.
Qeveria ka bërë të ditur se 180 udhëtarët nga Austria u vendosën në Strugë dhe Kodër të Diellit. Njëri person nga Struga, i izoluarit në një hotel në Strugë, i kthyer nga Austria, ankohet për kushtet e këqija, sidomos sa i përket ushqimit. Përpos personave që vijnë nga shtetet me koronavirus, në karantinë janë futur edhe persona të cilët nuk kanë respektuar vetizolimin shtëpiak.
Kryeministri, Oliver Spasovski, porositi qytetarët që futen në karantinë të jenë durueshëm, ndërsa i quajti dezinformata lajmet se kushtet nëpër karantinat shtetërore që vendosen të kthyerit nga jashtë janë të këqija. Deri më tani së paku 10 persona janë transferuar nga izolimi shtëpiak në atë shtetëror.
“Kemi diku 10 raste të mosrespektimit të izolimit shtëpiak dhe pak rëndësi se në çfarë hapësirash janë vendosur ata. Ata janë vendosur në karantina ku ka kushte. Më e rëndësishme tani është që ata vetizolohen, të mos krijojnë rrezik për përhapje të virusit, kjo është më punë më e duhur që mund të bëj secili për të mos e përhapur virusin.”,- tha kryeministri, Oliver Spasovski.
Po ashtu policia ka kryer inspektime të personave nën izolim, nga ku është konfirmuar se një person nuk ka respektuar masën e izolimit si pasojë e pandemisë Covid-19.
Prokuroria Publike ka proceduar 10 raste deri në gjykatat përkatëse për gjoba, 4 në Manastir, 2 në Strugë, 2 në Kumanovë, 1 një Dibër dhe 1 në Shtip.
Prokuroria Themelore e Shtipit dorëzoi një fletëparaqitje për dënim në Gjykatën Penale të Shtipit, pasi që një 32 vjeçar nga Shtipi një ditë para se t’i skadonte vendimi për izolim të detyrueshëm, lëshoi shtëpinë dhe shkoi në një sallon ondulimi.
Sipas prokurorisë, ai do të dënohet në bazë të nenit 206 të Kodit Penal me 100 gjoba ditore prej 50 eurosh. Sa i përket ndalesës për lëvizjes, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 89 shkelje në të gjithë vendin, prej të cilëve 8 janë të mitur. Prej gjithsej 89 personave, 38 persona janë ndaluar nga policia.