Ansambli “Ibe Palikuqi” do paraqitet në Festivalin Folklorik “Folkfest” në Shkup

Ansambli i këngëve dhe valleve “Ibe Palikuqi” nga Shkupi që nga shumë artdashës cilësohet edhe si ambasador i vërtetë i kulturës dhe traditës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga data 22, 23 dhe 24 Korrik, do të marrë pjesë në Festivalin Folklorik “Folkfest”, ku do të prezantojë pikat e saja më të fuqishme e me këtë rast edhe kulturën dhe traditat tona.

Ky festival do të zgjatë tre ditë. Me datë 22 Korrik (e shtunë) me fillim në ora 20:30 shënohet fillimi i “Folkfestit” në sheshin Maqedonia, kurse gjatë dy ditëve në vijim do të organizohet në sheshin Skënderbeu në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Marketing

Kryetari i ansamblit të këngëve dhe valles “Ibe Palikuqi”, Vebi Amza me këtë rast ka thënë se për të dhe ekipin e tij profesionist është kënaqësi që të jenë pjesëmarrës në festivale ky promovohen vlera.

“Vërtetë do të jetë një javë e përkryer, javë gjatë së cilës me plot përkushtim do të angazhohemi që të paraqitemi në skenë dhe të rrëmbejmë zemrat e gjithë atyre që do të kenë rastin të na shohin drejtpërdrejt por edhe atyre që do na ndjekin përmes rrjeteve të ndryshme sociale. Pas këtyre dy festivaleve neve si ansambël na pret punë dhe angazhim edhe më i madh me qëllim që në çdo kohë dhe në çdo vend ku do të marrim pjesë, ekipi ynë të shkëlqej para e spektatorëve”, ka thënë kryetari i AKV “Ibe Palikuqi”, Vebi Amza.

Shkolla e kulturës shqiptare, Ansambli i këngëve dhe valleve “Ibe Palikuqi” nga Shkupi përmes pjesëmarrjeve të shumta nëpër festivale të ndryshme në mbarë botën po vazhdon të mbetet “ambasador” i shkëlqyer i kulturës dhe traditës shqiptare në Maqedoni të Veriut.