Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i ka premtuar Lëvizjes Anti-Bixhoz se nëse me ligjin e ri për lojëra të fatit, nuk parashihet që kazinot dhe bastoret të largohen 1 kilometër nga institucionet edukative, arsimore dhe me interes publik, nuk do ta nënshhkruajë ligjin. Këtë sot e konfirmuan anëtarët e lëvizjes, duke thënë që edhe kjo ofertë nuk është e pranueshme pasi që ata kërkojnë që largësia të jetë hiç më pakë se 3 kilometra, raporton Portalb.mk.
“Ne ditën e hënë kemi pasur takim me kryetarin e Kvuendit, Talat Xhaferi, ku vetë ja dorëzuam kërkesat e dala nga protesta e fundit dhe morëm premtimin se aj do t’i qëndrojë deri në fund që të ketë një ligj të mirë dhe do të arrijë që të konsolidojë radhët në Kuvend që të kemi një ligj cilësor. Propozimi i Talat Xhaferit ishte që 1 kilometër në vijë ajrore nga institucionet me interes publik, por në qoftë se nuk do të haset mirëkuptim me ministrit, Xhaferi tha se unë jam ai që nuk do ta nënshkruajë ligjin. Na e tha duke pirë kafe, por këtë nuk e kemi pranuar pasi që qëndrimi ynë është i njohur, d.m.th. 3km”, thonë nga Lëvizja Anti-Bixhoz.
Lëvizja informoi se kanë pasur takim edhe me deputetët të cilët janë anëtarë në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ndërkaq kërkesat e dala nga protesta anti-bixhoz më 21 dhjetor të vitit 2018 në Tetovë, i kanë dorëzuar edhe deri te kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
“Ne si lëvizje vlerësojmë se amendamentet tona për sa i përket distancave dhe institucioneve hasën në papajtueshmëri me deputetët. Ata nuk janë të gatshëm për 3 kilometërshin, ndërkaq ne qëndrojmë në kërkesën tonë deri në fund”, thonë nga Lëvizja.
Ata thonë se në propozim-ligjin nuk janë të përfshira bashkësitë fetare dhe qendrat e qyteteve prej të cilave duhet të largohen kazinot dhe bastoret, por siç thanë ata deputetët shqiptarë, u kanë premtuar se të njëjtën do ta rregullojnë me amendamente.
Lëvizja Anti-Bixhoz thotë se kanë pasur takim edhe me përfaqësuesit e LSDM-së, por siç thonë ata nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshje pasi që kjo parti e ka “gajlen” e punëtorëve që punojnë nëpër objektet e lojërave të fatit.
“Qëndrimi i LSDM-së dallon, në një takim që e kishim, ata e kanë gajlen e 6.000 punëtorëve që punojnë nëpër kazino e bastore, por neve kjo nuk na intereson pasi që ne nuk jemi lëvizje për pazaret e tyre ditore që duan të bëjnë, ne kërkojmë me çdo kusht largimin urgjent të kazinove dhe lojërave të fatit që janë në Maqedoni”, thonë nga Lëvizja Anti-Bixhos.
Për arsye se nuk po pranohet kërkesa e tyre, nga lëvizja u bëjnë thirrje liderëve politik, e veçanërisht atyre shqiptarë, që të realizojnë takim urgjent me ata.