Antikorrupsioni do të shqyrtojë rastin “Rashkovski”

?

Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka vendosur që t’i qaset rastit të sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski, në lidhje me dyshimet për rregullim tenderi.

Marketing

Nga ky institucion sqarojnë se rasti nuk mund të anashkalohet, ashtu edhe si lëndët tjera për të cilat është vepruar në bazë të informacioneve në opinion. Ata vlerësojnë se rasti ka elemente për t’u shqyrtuar dhe procedura do të vazhdojë si me të gjithë rastet e tjera të ngjashme.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski akuzohet për rregullim tenderi për pajisje me sistem radari të M-Nav të cilin e ka fituar firma shtetërore italiane “Leonardo”. Dyshimet dhe akuzat erdhën pas publikimit të bisedës në zyrën e tij, të cilën mendohet se e ka incizuar ish drejtori teknik i M-Nav Klime Çepunovski.

Para mediave, Rashkovski nuk sqaroi përmbajtjen e bisedës dhe përdorimin e shprehjes “Leonardo do të fitojë” por u arsyetua me pengesa disavjeçare të mëhershme në furnizimin me këtë pajisje për të cilën u paralajmëruan edhe padi. Padi Rashkovski paralajmëroi edhe ndaj gazetarëve, mediave dhe personave të tjerë të cilët kanë përpunuar ose shpërndarë bisedën dhe që kanë njoftuar mbi atë.