Antikorrupsioni për nepotizmin gjatë punësimeve: Të përfshirë Milloshoski, Janushevi dhe Bozhinovski

Antonio Milloshoski, Igor Janushev dhe Kirill Bozhinovski janë në listën e re të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (Komisioni për Antikorrupsion), për nepotizëm dhe konflikt të interesit gjatë punësimit të familjarëve të tyre. Kjo u bë e ditur sot, pasi që Antikorrupsioni hapi lëndë për hetim të saj si për funksionarë aktual, por edhe ato të kaluar, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Ish funksionarë

Lista është zgjeruar me 40 emra të rinj, përfshirë Kristina Bozhinovskën bashkëshorten e ish sekretarit gjeneral të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Kirill Bozhinovski e punësuar në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE), për babain e Igor Janushevit, ish drejtorin e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP), Ljube Janushev dhe motrën e tij, Verica Janusheva e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), dhe për dajën dhe kushërinjtë e deputetit Antonio Milloshoski.

Në listë gjendet edhe motra dhe ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva, motra e gjykatësit Rexhepagiq, si dhe kushërinj të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, këshilltarë në kabinetin e presidentit Gjorge Ivanov, raste të cilat i zbardhi partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM).

Funksionarët aktual

Komisioni për Antikorrupsion ka hapur procedurë edhe për funksionarët aktual, të cilat i zbardhi ditë më parë partia opozitare VMRO-DPMNE-ja.

Ajo ka hapur edhe procedurë kundërvajtëse për rektorin e Universitetit “Nënë Terezë”, Aziz Pollozhani pasi që i njëjti nuk ka dorëzuar listë anketuese kur është zgjedhur për gjendjen pronësore të tij kur është zgjedhur rektor. Pollozhani është emëruar rektor në prill të 2018-s.

Paraprakisht, Antikorrupsioni ka hapur 18 lëndë për punësimet, në të cilat do të hetohet se a ka pasur konflikt të interesit. Procedurat ende nuk kanë përfunduar, për arsye siç thonë nga Komisioni për Antikorrupsion, sepse ende po mblidhen të dhëna.