Antikorrupsioni, procedurë për ndjekje penale për dy kryetar të komunave

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të kërkojë nga Prokuroria Themelore Publike të ngris padi penale kundër ish kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, dhe kryetarit aktual të Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.

Marketing

Nga Antikorruspioni njoftojnë se në bazë të raporteve të Revizionit, për ish-kryetarin Georgievski ekzistojnë bazë për dyshime për parregullësi në ndërtimin e një parcele kadastri në lagjen Maxhari, rruga “Pero Nakov”, nga kompania “Elektroelement”, respektivisht për objektin e ri të kompanisë “Volvo”.

Ndërkaq, Komisioni për Antikorrupsion bënë të ditur se për kryetarin e Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, ekzistojnë bazë për dyshime për shpenzimin e buxhetit në mënyrë joadekuate si dhe për realizmin e prokurorimeve publike në komunë.

Nuri Bajrami, anëtari i komisionit njoftoi se pas kontrollimit të plotë të kompanisë “Volvo” është konstatuar se e njëjta është bërë pa leje ndërtimi, dhe se Georgievski ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, që është shkelje e ligjit, keqpërdorim I detyrës dhe autorizimeve.

“Inspektori I autorizuar komunal ka qenë në hall dhe është dashur të dëshmojë para Këshillit, dhe ishte i ekspozuar ndaj mobingut. Në takimin e fundit që kemi pasur, nga punonjësit aktual, gjegjësisht ata që kanë marrë pjesë në mbledhje kemi kuptuar se inspektori i autorizuar është larguar nga puna. Kjo është një dukuri që duhet trajtuar në debatet e radhës, në mënyrë që inspektorët e autorizuar të veprojnë sipas rregullave”, deklaroi Nuri Bajrami, anëtar I Antikorruspionit.

Biljana Ivanovska, kryetare e komisionit, tha se tani e tutje Komisioni gjithmonë do të procedojë raportin e Entit Shtetërorë për Revizion dhe do t’i dorëzojë Prokurorisë Publike iniciativë për përgjegjësi penale për zyrtarët të cilët i kanë shkelur kompetencat . Sipas saj ky veprim është në përputhje me nenin 17.8 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.

“Është veçanërisht simptomatike që Antikorruspison përmbahet nga dhënia e mendimeve për gjendjen e identifikuar në Komunën e Studeniçanit. Kjo është një situatë që do të thotë se auditorët nuk janë pajisur me dokumentacion adekuat për të mbështetur gjetjet e tyre. Kjo është më e keqe se të jepet mendim negativ”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit.

Ajo më tej sqaroi se në vitin 2020 në llogarinë e Komunës së Studeniçanit janë paguar mjete në vlerë prej 2.4 milionë denarëve pa dokumentacion të duhur mbështetës, ndërsa anëtarët e Këshillit komunal dhe kryetari I Komunës janë paguar për seanca që nuk janë realizuar.

“Anëtarëve të Këshillit të Komunës së Studeniçanit dhe kryetarit të komunës u janë paguar mjete në shumë prej 908 mijë denarë në bazë të pagesës mujore për pjesëmarrje në seancat, të cilat fare nuk janë mbajtur”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit të Antikorruspionit.

Ivanovska, ndër të tjera, theksoi se kjo mënyrë e punës nuk është në përputhje me Ligjin për Kontabilitetin e Buxhetit dhe Shfrytëzuesve Buxhetor, në të cilin saktësisht thuhet se futja e të dhënave në libra bazohet në dokumente kontabël të besueshme, të vërteta dhe të rregullta.