Anton Çetta përkujtohet përmes librit të Anton Nikë Berishës

Për shënimin e 100–vjetorit të lindjes së profesor Anton Çettës (1920 –2020), njërit ndër mbledhësit dhe botuesit më të shquar të letërsisë gojore shqiptare, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, promovoi librin e Anton Nikë Berishës “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”, e para e këtij lloji e botuar deri më sot.

Marketing

Drejtori i Institutit, Skender Asani, përkujtoi se studiuesi dhe autori i librit që po promovojmë sot, Anton Nikë Berisha, duke qenë për vite tëra, një prej miqve e bashkëpunëtorëve më të afërt të prof. Anton Çetës, në këtë libër sjell jo vetëm një këndvështrim të munguar deri më tani, por edhe një indeks të gjerë të dhënash interesante mbi profilin e pasur të jetës dhe veprës së Anton Çettës.

“Kjo punë nuk ka mundur të bëhet pa njohjet e thella dhe tepër përkushtuese të Anton Nikë Berishës mbi veprimtarinë e pasur të Anton Çetës, që siç del edhe në veprën që kemi në duar, autori me argumente e referenca të shumta shkencore analizon dimensionet e qenësisë së letërsisë gojore nën prizmin e veprimtarisë së  prof. Anton Çettës, si mbledhës, si botues por edhe si studiues i krijimtarisë gojore. Pos kësaj, është e paharrueshme ndër breza veprimtaria kolosale e Anton Çettës në aksionin e madh mbarëkombëtar për pajtimet e gjaqeve në Kosovë dhe viset tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë”, u shpreh Asani.

Më pas, recensentët Emin Azemi e Sevdail Demiri, punëtorë shkencorë të Instituti, paraqitën vlerësimet e tyre për këtë botim të veçantë. Sipas tyre, ky libër, ndonëse jo shumë voluminoz për nga numri i faqeve, brenda vetes përmban të dhëna të shumta enciklopedike dhe empirike, që përshkojnë jetën dhe veprën e eruditit, studiuesit dhe veprimtarit të papërsëritshëm – Anton Çetta.

Në fund, autori i librit “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”, Anton Nikë Berisha, falënderoi Institutin për interesimin e shprehur për këto botime që kanë rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë të pasur shpirtërore e kulturore.