Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se janë anuluar të gjitha kontrollet dhe operacionet në klinikat e Qendrës Klinike në Shkup, për shkak të vizitës së Papës Françesku. Kjo do të ndodhë më 7 maj, për shkak të kontrolleve të sigurisë që janë shtuar në kryeqytet dhe evitimin e tollovisë në komunikacion.
“Për shkak të këtyre protokolleve, mbërritja deri tek Klinikat e Shkupit do të jetë e pamundur, andaj kemi informuar klinikat përmes një letre që të informohen të gjithë pacientët për shtyerjen e termineve”, theksoi Ministria e Shëndetësisë.
Agjenda e Papës në Shkup
Zyra për shtyp pranë Selis së shenjtë në Vatikan, sot e publikoi programin për vizitën e papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut.
Është parashikuar që papa të arrijë në Shkup, në vendlindjen e Nënës Terezë, më 7 maj në mëngjes.
Pas pritjes zyrtare, papa Françesku do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe korin diplomatik.
Gjatë qëndrimit në vend, ai do të takohet edhe me liderët fetarë dhe me persona të varfër”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.
Në programin për udhëtim apostolik të papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut është parashikuar të shërbehet në liturgji, ndërsa pastaj të marrë pjesë në takim ekumenik dhe të ndërfetar me të rinjtë.
Papa Françesku, udhëtimin e tij të 29-të apostolik, do ta përfundojë në orët e pasdites më 7 maj, me takim me klerikë dhe familjet e tyre, pas së cilës kthehet në Romë.
Paraprakisht, kryetari i Kishës katolike të Romës do të qëndrojnë në Republikën e Bullgarisë ku do t’i vizitojë qytetet Sofje dhe Rakovski.