Anulohet seanca për interpelancën e Spasovskit

Debati për interpelancën e ministrin të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski të shtruar nga deputetët e opozitës do të caktohet në mënyrë plotësuese në koordinim me ministrin dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve, paralajmëroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në vazhdimin e sotëm të seancës së 86-të.

Marketing

Interpelanca e Spasovskit është pika e vetme e ngelur në rendin e ditës së seancës, pasi u votuan ndryshime dhe plotësime të ligjeve për subvencionimin e kredisë banesore, për shfrytëzimin dhe disponueshmërinë me gjësendet në pronë të shtetit dhe komunave dhe për tatimin e vlerës së shtuar, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Në vazhdimin e seancës së 86-të u miratua edhe Ligji për huamarrje të Republikës së Maqedonisë nga Banka Ndërkombëtare për Ripërtëritje dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas Marrëveshjes për huamarrje të financimit të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, me procedurë të shkurtuar.

Mbështetje në lexim të parë morën edhe propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për borxh publik, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për rishikim, në lexim të parë si edhe Propozim-ligji për kryerjen e punëve kontabiliste. Për këto ligje debati përfundoi në vazhdimin paraprak të seancës.

Kuvendi në orën 14 pasdite duhet ta mbajë seancën e 88-të në të cilën duhet të votohet për Propozim-ligjin e plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat dhe propozim ligjet e plotësuara për kundërvajtje dhe konteste administrative, në lexim të dytë. Për shkak të shumicës së nevojshme prej dy të tretave për ligjet Xhaferi i thirri koordinatorët e grupeve të deputetëve të sigurojnë numër të mjaftueshëm të deputetëve.