Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij ka arritur marrëveshje me Arabinë Saudite për ta zgjatur për gjashtë deri në nëntë muaj afatin e marrëveshjes me organizatën OPEC për kufizimin e sasisë së naftës së prodhuar në nivel botëror.
Kjo marrëveshje mes dy prodhuesve të mëdhenj të karburanteve vjen në kohën kur çmimet e naftës po rrezikohen nga shtimi i prodhimit në Shtetet e Bashkuara dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike në mbarë globin.
Ministri saudit i energjisë, Khalid al-Falih, tha të dielën se kjo marrëveshje ka shumë gjasë të zgjatet për nëntë muaj dhe se nuk ka nevojë për reduktime shtesë në prodhim.
Duke folur pas takimit me princin saudit, Mohammed bin Salman, Putin tha para gazetarëve se afati i marrëveshjes do të zgjatet sipas kushteve aktuale të saj dhe bëhet fjalë për të njëjtën sasi të prodhimit.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht janë prodhuesja më e madhe e naftës në botë, para Rusisë dhe Arabisë Saudite, nuk janë duke marrë pjesë në marrëveshjen e OPEC-ut dhe rrjedhimisht po prodhojnë naftë sipas politikave të veta, shkruan “The Guardian”